Kryesore » 2012 » Qershor » 5 » Vesë bie në Tiranë
7:13 PM
Vesë bie në Tiranë
Të jetuarit vetëm në Tiranë dhe eksperienca në jurinë e "X Factor”. Tundimi për ta lënë Prishtinën, karriera artistike në Shqipëri dhe dashuria që po shijon prej disa muajsh. Vesa Luma zbulon Tiranën e saj.Nuk i ka më shumë se gjashtë muaj që jeton këtu, por i njeh çdo cep dhe rrugicë Tiranës. Ka makinën e saj dhe ia ka marrë dorën trafikut dhe surprizave të shumta që ofron. Në pallatin ku jeton e njohin të gjithë dhe sidomos fqinjët i ka shumë të mirë. I pëlqen qyteti, shoqëria, bashkëpunëtorët e mbi të gjitha të rinjtë që konkurojnë në "X Factor Albania”, ata për të cilët është këtu. Këta muaj kanë qenë të mjaftueshëm që Vesa Luma të ndihet si qytetare e Tiranës.Nëse në fillim u dyzua për pjesëmarrjen në spektakël e sidomos për largimin nga shtëpia, nga punët që kishte në Prishtinë, koncertet dhe e përditshmja e saj atje, tani nuk e mendon dy herë kur thotë se nuk do të jetë çudi sikur të mos largohet edhe kur "X Factor” të shënojë puntatën e fundit. Tirana është e bukur, ka jetë kulturore dhe asaj i pëlqen. Ka edhe diçka tjetër për këngëtaren bukuroshe nga Prishtina, atë mbasë më të rëndësishëm: një histori dashurie që e bën t’i shkëlqejnë sytë kur tregon. Jo detajet e njohjes, dhe, ende jo, as emrin e shpirtit të saj binjak. Këto do t’i rrëfejë kur ta gjykojë se është koha e duhur. Ama dëshiron shumë ta ndajë me të gjithë lumturinë që ndjen kur thotë: po jam e dashuruar!

Këto muaj që është vendosur këtu, nuk i ka ndodhur shpesh ta ketë kohën e lirë me bollëk, aq sa ta eksplorojë siç duhet lokalet në modë të kryeqytetit. Rituali i zakonshëm i saj është rruga shtëpi-studio, në ish-Kinostudio, dhe ndonjë mbasdite e qetë në ndonjë bar të preferuar. Por edhe kaq i ka mjaftuar. Nuk ka bërë shpesh jetë nate dhe nuk ka pishmane, sepse nuk i pëlqen. Gjithashtu përveç këngës së re që ka lançuar ca javë të shkuara, një bashkëpunim me Big Bastën i përfunduar ende pa filluar spektakli, nuk ka punuar me diçka të re për çështje kohe. "Por jam e mbushur me energji të reja, ndihem e freskët dhe gati për projekte të bukura. Ata të rinj kanë qenë një frymëzim i jashtëzakonshëm”, thotë ajo. Ndihet e përfshirë në çdo hap që ata hedhin në skenë, pavarësisht se fillimet nuk i ka pasur edhe aq të lehta. Sidomos kur ishte faza e seleksionimeve të para dhe kur ishte Vesa ajo që duhej të zgjidhte mes tyre. Nuk e ka marrë veten nga kjo "torturë” deri vonë, kur spektakli kishte hyrë në fazën e fundit, atë televizive, dhe vetëm tani ka arritur t’a mbledhë veten siç duhet. Pasi u ka shpjeguar disa herë me radhë se çmimi i parë nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, sepse një këngëtar i mirë mund të bëhesh edhe pa dalë i parë në atë talent shoë, dhe mbi të gjitha pasi është bindur se i ka ndihmuar të gjithë me çdo mundësi të saj. Këtë betohet se do ta bëjë edhe më vonë.

Kështu tregon Vesa Luma në këto ditë, kur përveç "X Factor”-it duhet të përgatitet edhe për një udhëtim tjetër drejt Prishtinës. Është e ftuar nderi në "Videofest”, ku do të këndojë një këngë patriotike në versionin rock, në nderim të 100 vjetorit të shtetit shqiptar. Është gjithashtu e nominuar edhe në disa kategori, por kjo nuk duket të jetë më e rëndësishmja për të. E ka provuar para disa vitesh të fitonte çmimin e madh të "Videofest”. I ka ndjerë lezetin edhe shpërblimit që fitoi prej këtij çmimi pas kënaqësisë që mori duke i dhënë të gjitha ç’kishte fituar për bamirësi: edhe paratë (10 mijë euro), edhe bursën (që ia dhuroi një vajze nga Mitrovica). Prandaj pjesëmarrja e kësaj here është vetëm sa për të shijuar skenën si e ftuar nderi në një aktivitet që është mbase më i madhi në Kosovë dhe kaq. Për planet e së ardhmes duhet të presë edhe dy javë sa të përfundojë spektakli dhe më pas të mbyllet në një studio muzikore. Këtu në Tiranë.

"U bënë vite tashmë që shkoj e vij në Tiranë, por këto muaj kanë qenë shumë ndryshe. Nuk fillim ishte e vështirë, si për këdo tjetër që transferohet këtu. Më ka ndodhur të ngatërroj edhe rrugët e të ndalem e të pyes kalimtarët. Por vetëm në fillim ama, sepse tani njoh çdo cep të qytetit. Jetoj në një bllok banimi shumë të mirë dhe kam fqinj të mrekullueshëm”. E thotë këtë tani, por gjashtë muaj të shkuar kur producentët e "X Factor” i bënë zyrtarisht ftesën për të qenë një nga anëtarët e jurisë nuk tha "po!” me të parën.”Nuk e dija a isha në gjendje ta merrja një përgjegjësi të tillë”, thotë Vesa. "Pastaj punët e mia janë të përqendruara në Kosovë dhe sidomos më dukej e vështirë ndarja nga familja, të jetuarit këtu vetëm. U dyzova, me pak fjalë”. Për më tepër që bëhej fjalë për një talent show dhe Vesa e di mirë se çfarë emocionesh provon në skena të tilla. Ka konkuruar vetë në një të tillë, në "Ethet e së premtes”, dhe pozicioni i ndryshëm që i propozohej tani i dukej i vështirë. Dhe i tillë do të ishte deri vonë për këngëtaren me zërin e bukur. "E kam ndjerë këtë kur u vendosëm në vilat e jurisë dhe nga tetë konkurentë duhet të zgjidhja vetëm katër. Ka qenë shumë e vështirë, por i mblodha të gjitha forcat dhe ua komunikova vendimin. Për çudinë time qanë të gjithë. Kisha menduar se meqë bëhej fjalë për kategorinë mbi 24 vjeç do të dinin ta përballonin, por jo, të gjithë u përlotën”. Ato momente Vesa arriti t’i mbante lotët për vete, por pak ditë më vonë, ndërsa i kishte ftuar të gjithë për të pirë diçka, nuk duroi dot më. "Njëri prej tyre më tha se e kishte parandjerë skualifikimin. Më tregoi një ëndërr: me kishte parë mua duke e shtyrë nga një lartësi. U preka aq shumë sa kur u ktheva në hotel qava gjithë natën. Nuk më qetësonte dot askush, as familjarët e mi. Kam filluar ta marr veten vetëm pas javës së dytë të spektaklit, ndërsa tani është më ndryshe. Tek e fundit është një spektakël, një garë, dhe e sigurta është që të gjithë ata janë të rinj shumë të talentuar. Janë një prurje e re, shumë e nevojshme për muzikën shqiptare”. Përfshirja në fillimet e karrierës së të cilëve, si pa kuptuar, i ka marrë Vesës çdo minutë të këtyre gjashtë muajve. "Të jesh në "X Factor” do të thotë të lësh çdo gjë tjetër dhe të impenjohesh vetëm me të”. Me pak fjalë krejt ndryshe nga sa e kishte paramenduar kur morin rrugën për në Tiranë. Atëherë këtë e pa si një shkëputje të nevojshme nga puna. Mendonte se do të arrinte ta menaxhonte kohën pa lënë pas dore asgjë. Ndoshta kjo do të ishte një periudhë pushimi që veçse do t’i bënte mirë. "Por ndodhi krejt e kundërta. Jo vetëm që nuk jam marrë me asgjë tjetër, me përjashtim të disa koncerteve që e kisha të pamundur t’i anulloja, por nuk kam pasur kohë as për veten. Çdo ditë ka ngarkesë dhe impenjimi është maksimal. Si përfundim shumë ekskluzivitete ja kam lënë stinës së verës”.

Çka do të thotë se pas "X Factor”-it nuk planifikon asnjë ditë pushimi. Në studio e pret një këngë e re, një tjetër bashkëpunim me Big Bastën, i cili ka shkruar tekstin dhe muzikën e një këngë ritmike tamam për perudhë vere, të orkestruar nga Florent Boshnjaku, klipi i së cilës do të realizohet sapo Vesa të jetë gati. "Do të jem shumë më e freskët nga ç’janë mësuar të më shohin njerëzit në këtë klip. Jam e ngarkuar me energji pozitive prej atyre të rinjve me të cilët kam punuar gjatë këtyre muajve. Jam e lumtur që po mbyllet me sukses sepse kam pasur mundësinë të ndihmoj talente të reja. Kjo gjë ka bërë efekt edhe tek unë prandaj mezi pres të filloj punën”. Në fund të vitit planifikon edhe një klip tjetër për ta mbyllur 2012 me tre klipe të realizuar gjithësej, pa përmendur edhe përmbledhjen në një CD të të gjitha këngëve hit që ka kënduar deri më sot, sigurisht përfshirë edhe ato që e kanë mbajtur gjatë në majë të klasifikimeve dhe klikimeve në internet: "Jemi dhe s’jemi”, "Amanet”, "Luaj”, "Edhe për mua do të ketë zemër” etj.

Një punë e nisur në fakt kohë më parë dhe e ndërprerë vetëm për shkak të angazhimit në jurinë e "X Factor”. Ky është një prej atyre projekteve që ka lënë ende të papërfunduar në Prishtinë, për të cilin do t’i duhet ta ndërmarrë edhe disa here të tjera atë udhëtim. Sepse gjasat janë që edhe kur spektakli të përfundojë, Vesa ta mbajë shtëpinë me qera që ka diku përgjatë rrugës së Kavajës, e pse jo të vendoset përfundimisht në Tiranë. "E kam shijuar shumë të jetuarit vetëm gjatë këtyre muajve. Kjo ishte hera e parë që largohesha nga familja, por edhe kur "X Factor” të përfundojë nuk mendoj të shkëputem nga Tirana. Do të jetoj sërish mes dy qyteteve dhe meqë Shqipëria ka më shumë aktivitete se në Kosovë dhe mbi të gjitha meqë u lidha kaq shumë me këtë vend mundet të qëndroj edhe këtu”, shton duke qeshur. Për më tepër që sado që nuk pranon të japë detaje nuk do të jetë aspak për t’u çuditur sikur lajme të reja të rëndësishme të dëgjojmë të vijnë së shpejti edhe nga jeta e saj private. Tirana i ka prirë për mbarë edhe këtu. Është njohur me dikë gjatë këtyre muajve, një personazh i njohur nga bota e artit, që duket se ia ka rrëmbyer zemrën bukuroshes nga Prishtina. Ndërsa tregon Vesës i shkëlqejnë sytë, zëri që dridhet ia tradhëton emocionet papritur, por megjithatë ende nuk ndihet gati ta bëjë publike të gjithën.

"Bërja publike e jetës dashurore është si një thikë me dy presa”, thotë ajo. "Ke dëshirë ta ndash me të gjithë lumturinë tënde duke i thënë kështu edhe partnerit se sa shumë e do, por nga ana tjetër ndodhin edhe zhgënjime. Kështu që edhe unë do ta ndaj me të gjithë lumturinë që ndjej vetëm kur të jem 100 përqind e sigurtë”. Me shpirtin e saj binjak Vesa ndihet e tillë, dhe thellë-thellë, thotë se dëshiron shumë t’i ndajë edhe me publikun e saj ndjesitë e ëmbla që po përjeton. Por do akoma edhe pak kohë. "Veçse mund t’ju them se po jetoj momente shumë të lumtura. Jam e dashuruar. Djemtë e Tiranës janë shumë të kujdesshëm, të vëmendshëm, të dashur”. Gjithçka që Vesa ka gjetur tek i dashuri i saj, përshkrimi i të cilit bën t’i shkëlqejnë sytë. Çka tanimë e bën plotësisht të kuptueshëm vendimin e saj për ta menduar të ardhmen këtu në Tiranë. Jo vetëm prej qytetit që e pëlqen apo jetës artistike. Këtu Vesa ka gjetur shumë më tepër.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus
Horoskopi ditor


    Top Filmat për këtë javë
  1. The Lion King 3D
  2. Johnny English Reborn
  3. The Three Musketeers 3D
  4. Footloose
  5. Real Steel
  6. Contagion
  7. Paranormal Activity 3
  8. The Adventures of Tintin: The Secret of the Unicorn 3D