Kryesore » 2011»Maj»23 » Sonila Kaceli: Një shqiptare në zgjedhjet italiane
7:18 PM
Sonila Kaceli: Një shqiptare në zgjedhjet italiane
Sopranoja dhe kompozitorja shqiptare, e cila jeton prej 20 vitesh në Itali, kandidoi në zgjedhjet më të fundit në Itali, për Këshillin Bashkiak në Bolonjë
Qysh se kur u vendos në Itali, ajo nuk ka reshtur për asnjë moment së luftuari. Ishte askush në një vend të huaj dhe që nuk është se kishte ndonjë mendim shumë të mirë për shqiptarët. Iu fut studimeve, ndërkaq punonte ku të mundte. Sot i ka lënë pas shpine këto andralla. Sonila Kaceli ka arritur të gjejë vendin e saj në jetën artistike bolonjeze. Është soprano, po i pëlqen shumë edhe teatri. Por çka e bëri së fundmi të njohur emrin e shqiptares, është kandidimi i saj për Këshillin Bashkiak të Bolonjës në zgjedhjet rajonale, që u zhvilluan në Itali. Ajo mbështeste kandidatin Stefano Aldrovandi, në programin e të cilit ajo pa mbështetjen që u duhet emigrantëve në Itali. Ndonëse nuk fitoi, ajo provoi të jepte shembullin se nëse do mund të integrohesh. Prej 20 vitesh jetoni në Itali, keni studiuar kanto dhe kompozim, si ka ecur karriera juaj? Po, kam studiuar Kanto dhe kompozicion në Konservatorin e Bolonjës dhe jam laureuar në Universitetin e Bolonjës (Discipline Arte Musica Spettacolo), ku kam mbrojtur temën me titull: "Gli strumenti musicali del popolo albanese”. Bëhet fjale për përkthimin me nota kritike në italisht të një nga veprave fondamentale të etnomuzikologjisë shqiptare: "Veglat muzikore të popullit shqiptar”, me autor Ramadan Sokolin e Pirro Mison. Ndërkohë, bëj pjesë në disa grupe muzikale të panoramës bolonjeze, si atij të "Coro da Camera di Bologna”, që i dedikohet veçanërisht muzikës baroke, rinashimentale dhe asaj kontemporane, apo trios vokale "Latinobalcanica Ensemble”, repertori i së cilës bazohet në muzikën popullore italiane dhe ballkanike. Me "Coro da Camera di Bologna” kam regjistruar dy CD, ndërsa në korrik të këtij viti del edhe një CD e trios "Latinobalcanica Ensemble” për shtëpinë diskografike "Tactus”. Një tjetër pasion që më ka shoqëruar gjithmonë është teatri, sidomos ai eksperimental. Për një rritje të mëtejshme e për të transformuar në një farë mënyrë këtë pasion në diçka më konkrete, vendosa të ndjek një shkollë dyvjeçare, që bazohet në metodën Stanislavskij – Strasberg. Gjithashtu kam kompozuar muzikën origjinale për dy shfaqje teatrale, me tekst të Giovanni Pascolit. Sa e vështirë ka qenë për të çarë përpara në një vend të huaj? Vështirësitë më të mëdha që mund të ndeshen në një vend të huaj fillimisht, dhe besoj se këtë gjë e kane kaluar shumë nga bashkatdhetarët e mi, janë paragjykimet e mundshme dhe burokracia e lidhur me lejen e qëndrimit. Kësaj i duhen shtuar sigurisht edhe vështirësitë ekonomike të fillimit. Më është dashur të kryej punë të ndryshme edhe gjatë viteve të studimit dhe është paradoksal fakti se për shkakun se isha me dokumente pune, nuk mund të përfshihesha për një bursë studimi në radhën e studentëve italianë, as në atë të studentëve të ardhur direkt nga Shqipëria. Gjithsesi, krahas këtyre vështirësive, nuk më kanë munguar edhe përkrahja dhe dashamirësia nga ana e shumë personave. Si ndiheni sa herë që në kronikat televizive të lajmeve dëgjoni lajme të këqija për shqiptarët? Vitet e para që ndodhesha në Itali (bëhet fjalë për fillimin e viteve ’90), këto fakte ishin të shpeshta dhe nuk mund ta mohoj se ndihesha vërtet keq. Më vonë u mësova të "bashkëjetoj” me këto lajme pa rënduar peshën e tyre mbi veten time. Sigurisht kronikat italiane janë plot me fakte të tilla, të kryera edhe nga vetë italianët, por bëjnë më efekt ato të të huajve. Kjo nuk mohon faktin se problemi i kriminalitetit të huaj në Itali nuk vazhdon të mbetet, sigurisht ai ekziston, por duhet pasur kujdes nga instrumentalizimi i mundshëm i tij, e shpesh mediat e këtushme nuk kanë munguar ta bëjnë atë; bën përshtypje sidomos fakti që këto aktivitete kriminale dallohen në shtyp dhe në televizion, çuditërisht edhe më tepër në afërsi të zgjedhjeve politike. Kjo është e rrezikshme edhe për opinionin publik se mund të krijojë atë fenomen që ka shtyre më se disa herë persona të ndryshëm të akuzojnë shqiptarët për të mbuluar krimet e tyre, ndonëse e vërteta në fund ka demonstruar të kundërtën. Gjithsesi, për fatin e mirë, lajmet "e këqija” mbi shqiptarët ndeshen më rrallë kohët e fundit, por do të thosha se fakti më i rëndësishëm është se shqiptarët vetë (artistë dhe jo) po dalin në pah gjithmonë e më shume me një imazh tejet pozitiv. Kjo gjë ndeshet jo vetëm në prizmin e mediave, por edhe në jetën e zakonshme të sa e sa personave dhe familjeve shqiptare që janë në kontakt të përditshëm me popullin italian. Kandidate për Këshillin Bashkiak të Bolonjës, çfarë e shtyn një artiste drejt politikës dhe pse mbështetët kandidatin Stefano Aldrovandi. Çfarë ju tërhoqi në programin e tij?
Jam munduar gjithmonë të jem e impenjuar në jetën sociale dhe kur më propozuan të hidhja kandidaturën në Këshillin Bashkiak të Bolonjës, ndonëse fillimisht pata një ngurrim të vogël, vendosa gjithsesi ta pranoj atë. Ndikoi për këtë edhe fakti se propozimi m’u bë nga një listë e pavarur (lista civica Stefano Aldrovandi) që teorikisht është jashtë logjikave partiake. Programi elektoral i kësaj liste përfshin shumë pika që më interesojnë, sidomos ato të lidhura me artin dhe kulturën. Gjithashtu, shumë besim më dha vetë figura e Stefano Aldrovandit, person që nuk vjen nga një parti dhe që ka drejtuar me sukses dhe mbuluar role të ndryshme e të rëndësishme në panoramën bolonjeze. Pra është një njeri i veprave, dhe jo i fjalës, me mentalitet të hapur dhe që e do qytetin e tij. Unë prej pak kohe kam nënshtetësinë italiane dhe hyrja e një qytetareje "të re” në këtë listë, mendoj se qe diçka me vlerë edhe nga ana simbolike, pranova për të përfaqësuar në një farë mënyrë integrimin e shqiptarëve dhe më gjerë atë të komunitetit të huaj. Lista jonë arriti një rezultat modest, rreth 5 për qind, gjithsesi jam e kënaqur për këtë eksperiencë. Nuk e di a do të vazhdoj të merrem me politikë, por sigurisht do të vazhdoj të jem e impenjuar në jetën sociale dhe në fushën e artit e të kulturës.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus
Top Filmat për këtë javë
The Lion King 3D
Johnny English Reborn
The Three Musketeers 3D
Footloose
Real Steel
Contagion
Paranormal Activity 3
The Adventures of Tintin: The Secret of the Unicorn 3D
Logged in as Guest | Group "Guests"Welcome Guest | RSS