Kryesore » 2011 » Maj » 23 » SADIJE BERISHA: Nusja e kryeministrit, një libër ëmbëlsirash
7:24 PM
SADIJE BERISHA: Nusja e kryeministrit, një libër ëmbëlsirash
Pasi ka ndenjur për vite në hije, e shoqja e Shkëlzen Berishës shfaqet me një libër me receta ëmbëlsirash. Quhet "Dëshira të ëmbla”. Ç’është ky pasion për ëmbëlsirat, nga e ka trashëguar, cilat janë recetat e preferuara të të shoqit dhe të fëmijëve?

Që ta themi mes nesh, asnjëherë nuk e kam konsideruar mundësinë e të shkruarit për kuzhinën. Kjo, jo sepse nuk më pëlqen të gatuaj, pavarësisht kohës së pakët, as sepse nuk e shijoj të ngrënët, pavarësisht kileve të mia të pakta e që ime më i ka aq merak, por, sepse gjithnjë kam menduar se mund të bëj më mirë diçka tjetër. Por për një gazetar, një zbulim është i rëndësishëm, qoftë ky edhe në fushën e kuzhinës. E aq më tepër kur bëhet fjalë për një zbulim të ëmbël, që vjen përmes faqeve të një libri. Kur për të parën herë mora në dorë librin "Dëshira të ëmbla”, për të qenë tërësisht e sinqertë, e para gjë që më ra në sy ishte emri i autores, Sadije Berisha. Mbiemri u është shumë familjar shqiptarëve dhe sapo e dëgjon, apo e lexon atë, menjëherë të shkon mendja tek Kryeministri i Shqipërisë. Në rastin konkret, lidhja qëndron. Sadije Berisha është nusja e djalit të Sali Berishës, Shkëlzenit. Por për librin në fjalë, ky fakt nuk ngre ndonjë peshë të madhe. Sadija, e cila të njëjtin mbiemër kishte edhe në vajzëri, nuk shfaqet si pjesë e familjes kryeministrore, as do të na rrëfejë ndonjë sekret nga e shkuara e saj, apo e të shoqit, por si autorja e një libri kuzhine, më saktë një libri ëmbëlsirash. Pasi ka ndenjur për një kohë të gjatë në hije, nusja e Kryeministrit tregon "sekretet” e saj të kuzhinës. Estetikisht, libri i kuruar me shumë kujdes nga shtëpia botuese "55” dhe shtypur në Itali, nuk ka të sharë. Nuk është një libër i mërzitshëm recetash, me fotografi të "vjedhura” nga interneti. Një botim serioz, ndoshta i pari në llojin e vet, ku çdo recetë mbart me vete një histori familjare, ndërsa fotografitë që shoqërojnë librin janë origjinale. "Libri ‘Dëshira të ëmbla’ i Sadije Berishës, është një udhëtim në botën joshëse të ëmbëlsirave, i shkruar me kujdes dhe shumë dashuri. Ndryshe nga librat tradicional të gatimit, autorja ka një mënyrë tjetër të rrëfimit. Ajo krijon atmosferë dhe herë-herë recetat të ngjasojnë me një tregim të shkurtër, që ti nuk do që të mbarojë…Në këtë libër ëmbëlsira, por dhe personazhe që janë po aq të dashur në jetën e autores. Besoj se libri është një kontribut i vyer në artin e bukur të gatimit”, thotë drejtoresha e shtëpisë botuese "55”, Alda Bardhyli. Pyetja e parë që të del, sapo shfleton librin, është: Vetë i ka bërë të gjitha këto ëmbëlsira? Janë aq të bukura, e me një pamje po aq joshëse… Dhe, në fakt, çdo gjë është realizuar nga duart e Sadijes, ndërsa fotografitë janë realizuar në ambientet e shtëpisë së saj, nga fotografi Albes Fusha. Është ajo duke ngjeshur brumin, duke treguar një tortë, apo duke ftohur një tavë të sapo nxjerrë nga furra. Herë-herë, pjesë e kësaj panorame bëhen edhe fëmijët e saj, dy binjakët, Muradi dhe Muradije dhe dy të vegjlit, Medina dhe Lajdon. Janë ata të parët që shijojnë gatimet plot fantazi të nënës së tyre, madje, ndonjëherë e "ndihmojnë” duke u lyer kokë e këmbë me miell e duke zhytur duart në brumë.
Pasioni i fëmijërisë
Aroma e këndshme e biskotave të sapo pjekura, apo kekut me çokollatë, ndihen qysh tek dera e shtëpisë së Sadijes. Mbase kjo është edhe arsyeja pse aty nuk mungojnë asnjëherë mikeshat, që provojnë recetën e radhës. Ndonëse mund të quhet pa frikë një mjeshtre ëmbëlsirash, ajo mezi pret t’ua lexojë në sy kënaqësinë. Të gatuarit për të është një pasion i hershëm, madje mund të thuhet se ka lindur bashkë me të. I ati i saj, Hasan Berisha, kishte një restorant të njohur në Stokholm dhe një familje me shumë fëmijë. Qysh e vogël Sadija ishte e rrethuar nga aromëra erëzash e gjellërash të sapo gatuara, e të ishte pjesë e kësaj "loje”, për të nuk ishte aspak e vështirë. "Jam e sigurt se pasionin për gatimin e kam trashëguar nga nëna. Ajo është heroina ime në kuzhinë. Nuk duhet të ketë qenë e lehtë të gatuash çdo ditë për shtatë fëmijë. Ende e ndiej si atëherë aromën e këndshme, kur vija nga shkolla në shtëpi…”, thotë Sadija. Imazhi i së ëmës me mëngë të përveshura do ta ndiqte gjatë, derisa nisi edhe vetë të provonte. "Kam qenë gjithnjë e apasionuar pas gatimit, por nuk kam gatuar gjithnjë mirë. Më është dashur të ushtrohem vazhdimisht. Dhe nuk njoh ndonjë punë tjetër, ku gabimi mund të ketë shije aq të ëmbël dhe të shndërrohet në diçka të re dhe më të mirë”. E, pas qindra provash, jo rrallë herë të dështuara, ajo arriti të mësonte. Më pas filloi të shijojë kënaqësinë, kur të tjerët i pëlqenin gatimet e saj. Një kënaqësi që ajo donte ta ndante me sa më shumë njerëz. "Zakonisht, recetat e mira trashëgohen brez pas brezi si thesare të familjes dhe mbahen sekret, ndonëse asnjëherë nuk e kam kuptuar pse. Kam mendimin se recetat e mira duhen ndarë me familjen, miqtë dhe fqinjët, në mënyrë që të kalojnë dorë më dorë, me qëllim që të gjithë të kenë mundësi t’i shijojnë”, vazhdon ajo. Edhe këtë zemërgjerësi ajo e ka trashëguar nga e ëma: "Faleminderit nënës sime, sepse më mësoi artin e të gatuarit për të mbushur jo vetëm stomakun, por edhe shpirtin”. Kur të sheh se trembesh nga recetat, përbërësit dhe aq më shumë nga pamjet e mrekullueshme të gatimeve të saj, ajo të thotë se, edhe me ca përbërës të thjeshtë, që gjenden në dollapin e çdo amvise, mund të bësh mrekulli. "Gatimi është një magji, sidomos për fëmijët. Me disa vezë, pak miell e pak sheqer, mund të bëjmë diçka të mahnitshme. Kur gatimi kryhet me shpirt dhe me zemër, nuk mund të gabosh. Gatimi bashkërisht me fëmijët ose nipërit e mbesat, është një veprimtari e mrekullueshme dhe gjithnjë vlerësohet. Jam e mendimit se gatimi e bashkon familjen. Ruaj mbresa të pashlyeshme nga gatimi bashkërisht me familjen dhe miqtë”, thotë ajo, me shpresën që libri i saj të shërbejë diçka në këtë drejtim.
Dashuri me çokollatë
Për Sadijen, nëse njerëzit do të konsumonin më shumë çokollatë, bota do të ishte edhe më e mirë. E, duket se asaj vetë i ka sjellë fat me bollëk. Vite më parë ajo nuk e dinte se aroma e çokollatës do të ndillte drejt saj të dashurin e zemrës. U njohën në shtëpinë e saj në Suedi, ku Shkëlzeni qëndroi një kohë të gjatë. Ai i thotë se ajo ia kishte prishur mendjen me një kek me çokollatë, por pa dyshim që nuk kishte qenë vetëm kaq… Edhe tani ai vazhdon të pëlqejë ëmbëlsirat nga duart e së shoqes, madje, me sa tregon Sadija, është një bashkëshort i duruar, që nuk ankohet kurrë për rrëmujën, apo mungesën e darkës në tryezë. "Dua t’i them faleminderit bashkëshortit tim për inkurajimin që më ka dhënë. Nuk u ankua asnjëherë kur frigoriferi ishte plot gjalpë, vezë dhe kekëra në vend të darkës”, thotë ajo, pa harruar edhe fëmijët, të cilët e ndihmojnë për punët e shtëpisë.
Në librin e saj "Dëshira të ëmbla”, Sadija na zbulon pikërisht ëmbëlsirën e preferuar të Shkëlzenit, ato të fëmijëve, receta të trashëguara brez pas brezi, madje edhe ndonjë të "huazuar” nga familja e të shoqit. Mes të tjerash, është edhe një recetë e gjyshes së Shkëlzenit, nga e ëma, për të cilën ajo na zbulon se i shoqi ruan një dashuri të veçantë.

Keku që i prishi mendjen Shkëlzenit


A e dini thënien: "Dashuria e një burri kalon nga stomaku”?
Kek krem çokollatë është ëmbëlsira e preferuar e bashkëshortit tim. Ai thotë se me


Ëmbëlsira e preferuar e Shkëlzenit

këtë ëmbëlsirë ia fitova zemrën. Edhe pas shtatë vitesh ai është ende i dashuruar…pas kësaj ëmbëlsire dua të them.
Ky kek është i lehtë për t’u gatuar, realizohet shpejt dhe është një sukses i garantuar. Kur kisha një kafene të vogël në Stokholm, kjo ëmbëlsirë ka qenë një nga të preferuarat dhe lavdi Zotit që nuk është e vështirë për t’u realizuar, pasi ne përgatisnim sasira të mëdha. Kjo ëmbëlsirë e mrekullueshme me çokollatë mund të shërbehet e ngrohtë me akullore me

shije vanilje. Ky kek është shumë i butë dhe bashkëshortit tim i pëlqen kështu. Ndërsa mua më pëlqen që ta shijoj ditën tjetër, pasi ka qëndruar një natë në frigorifer. Në këtë kohë, kjo ëmbëlsirë shijon pa masë e shoqëruar me një lugë panë të rrahur.
Gjyshja e Shkëlzenit

Nuk kam pasur asnjëherë mundësinë të takoj gjyshen e bashkëshortit tim. Ai flet gjithnjë për të me një buzëqeshje të ngrohtë që i lexohet në fytyrë. Historitë për të treguar gjatë darkave dhe festimeve familjare sjellin gjithmonë të qeshura.


Dama kapriçoze, ëmbëlsira me recetën e gjyshes

Tregojnë për elegancën dhe kujdesin e saj për veshjen, ashtu edhe ato për aksentin dhe mënyrën e lezetshme se si ajo i shqiptonte fjalët. Janë historitë e një vajzetë re dhe të bukur, e cila në 1947-n e la shtëpinë e saj të rehatshme në Beograd, për hir të dashurisë së madhe të jetës së saj, dhe erdhi të jetonte në Shqipëri. Por janë historitë e treguara për dashurinë e gatimit të saj, pasionin e saj të madh për ëmbëlsirat, darkat dhe kekërat që do t’i bashkonin fëmijët, nipërit dhe mbesat rreth tryezës. Nuk është vetëm shija e pashlyeshme që të gjithë ende e kanë në gojë, por kujtimet e të gjithë pjesëtarëve të familjes që ende e adhurojnë. Këto janë historitë që më pëlqejnë më shumë. Për fatin tim të mirë, pasioni i Mamalicës për gatimin iu pasua Lilit, vjehrrës sime. Ajo e bëri këtë ëmbëlsirë të mrekullueshme (ëmbëlsira ka emrin "Dama kapriçioze”) bazuar në recetat e së ëmës. Me nderim të veçantë unë e vendosa atë në librin tim dhe me shumë dashuri do ta bëj pjesë të jetës së fëmijëve të mi.

Keku me mollë i mamasë
Këtë kek ndoshta mund ta gatuaj me sy mbyllur. Kur ishim të vogla, kush e di sa herë e kam bërë për motrat e mia më të rritura. Dhe sa herë që vjen për vizitë nëna ime e ëmbël, më sjell kekun e saj me mollë të bërë me shumë dashuri.

Recetat
Libri i Sadijes ofron një listë të gjatë "tundimesh”. Janë receta nga më të ndryshmet, që nga biskotat e thjeshta, reçelrat, tek ëmbëlsirat e sofistikuara me kremra e fruta. Ajo është treguar e kujdesshme të vendosë kudo origjinën e recetës, nga Suedia, Finlanda, Filadelfia… por, edhe "autorësinë”, edhe kur ato janë recetat e gjyshes, nënës, motrës, apo Fitnetes, shoqes së saj, e cila i ka "huazuar” recetën e bakllavasë, që Sadija e quan: "bakllavaja e Fitnetes”.

Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus
Horoskopi ditor


    Top Filmat për këtë javë
  1. The Lion King 3D
  2. Johnny English Reborn
  3. The Three Musketeers 3D
  4. Footloose
  5. Real Steel
  6. Contagion
  7. Paranormal Activity 3
  8. The Adventures of Tintin: The Secret of the Unicorn 3D