Kryesore » 2011 » Maj » 23 » Isida Mollaymeri, partnerja e Shpatit
7:20 PM
Isida Mollaymeri, partnerja e Shpatit
Një nga balerinat protagoniste në spektaklin "Dancing with the stars” flet për eksperiencën e re. Përjetimet, emocionet dhe angazhimet e tjera profesionale artistike
Siluetat përmes figurave artistike mbi tapetin skenik, elasticiteti dhe dualiteti me partnerin, njëtrajtshmëria dhe perfeksioni janë armët e saj më të mira. Nuk ka nevojë për finte apo "shtirje” buzëqeshjesh për të qenë më e mira. Ngase pikërisht për arsyet e mësipërme ajo priret për të qenë e kompletuar e pse jo ndër balerinat më të pëlqyera të një trupe baleti. Ndonëse me shtat të vogël dhe e imët, në impaktin e parë natyrshmëria e lirshmëria e lëvizjeve skenike e bëjnë Isida Mollaymerin të përvetësojë harmoninë e lëvizjeve që në hapat e parë. Sepse baleti për 24-vjeçaren vazhdon ende të jetë pasion i qenësishëm që ka hedhur rrënjë që në fëmijërinë e hershme.
Po përfitojmë nga orari i pushimit gjatë provave, për të të pyetur se si po ndihesh aktualisht në sfidën e radhës që quhet "Dancing with the Stars”?
Për të qenë e sinqertë, mua më pëlqejnë sfidat. I konsideroj si bashkudhëtare të rëndësishme e sidomos në fushën e artit, ku dhe bëj pjesë. Sfidat të kalisin, të forcojnë profesionalisht dhe të ndihmojnë për të njohur terrene të reja dhe interesante. "Dancing with the stars” e shoh përveçse si konkurrim e sfidë, si kënaqësi e madhe, njëherësh edhe privilegj.
Pse Shpat Kasapi?
Përzgjedhja e përkimit artistik mes dysheve konkurruese nuk është çështje imja. Është stafi i këtij spektakli që merret me studimin e karaktereve, përshtatjen e tyre në skenë dhe modelimin e një çifti të caktuar. Në fillim, nuk më kënaqi ideja se partneri im do të ishte Shpat Kasapi. S’e di pse… Nuk e njihja, vetëm kisha dëgjuar që është djalë i mirë dhe i edukuar. Më pas, gjatë provave të njëpasnjëshme, gjatë performancave në skenë e njohëm më nga afër njëri-tjetrin. Merremi vesh, komunikojmë bashkë dhe ndihemi mirë në këtë sfidë të përbashkët.
Po krahasuar me partnerin e mëparshëm në edicionin e kaluar të këtij spektakli, sipas teje cili është më pranë dellit artistik, Viktor Zhusti apo Shpati?
Nuk mund ta mohoj që të dy janë artistë e, duke qenë pjesë e artit, ndonjëherë sfidat e reja edhe pse të paprovuara, vijnë më natyrshëm për dikë që e ka prekur skenën. Viktori ishte tepër i përkushtuar, korrekt dhe nuk i mungonte sigurisht shpirti artistik. Ndërsa, Shpati, duke qenë më i ri, disi më i sprovuar me kërcimin, ndryshe nga Viktori që kishte aktrimin profesion të tijin, dualizohet më lehtë me veprimet skenike, me plastikën dhe gjithë komponentët e kërcimit. Gjithsesi, ndihem shumë fatlume që kam mundur të shijoj këtë eksperiencë si balerinë profesioniste me dy personazhe të spikatura të artit.
Besoj nuk mungojnë orët e gjata të provave të kërcimit e të qëndrimit me Shpatin. A mendon se bëhet xheloze e fejuara e tij, Afërdita?
Ne të dy ushtrohemi disa orë në ditë gjatë provave përpara ditës së spektaklit e kësisoj qëndrimi bashkë është i pashmangshëm. E fejuara e Shpatit nuk është aspak xheloze për raportin tonë. Jemi takuar që në fillim të nisjes së kësaj aventure, madje dalim shpesh bashkë e jemi bërë si shoqe.
Ke vërejtur përmirësime nga dita në ditë tek partneri yt?
Nuk mund ta fsheh përmirësimin e tij nga puntata në puntatë. Që prej fillimit të kësaj eksperience, i kam qëndruar Shpatit shumë pranë, duke e ndihmuar me idetë e mia, me mësimin e lëvizjeve, impostimeve skenike etj. Kam dashur të jap maksimumin tim, që edhe ai të shkojë sa më lart në këtë përvojë të re, por për mua në fakt është një investim i dyfishtë. Një performancë e denjë, na përfaqëson më së miri ne të dy si çift konkurrues.
Si i ke marrëdhëniet me çiftet e tjera konkurruese?
Kam një raport shumë të mirë dhe kam ndërtuar komunikim të shkëlqyer me të gjithë. Me shumë prej tyre kam marrëdhënie thuajse miqësore e kjo më ka krijuar një terren më se bashkëpunues, edhe me çiftet konkurruese.
Po dozat e rivalitetit, i ke ndier në këtë spektakël?
Për të qenë e sinqertë, tek "Dancing with the stars” nuk e kam ndier aspak rivalitetin. Por, në teatër edhe e kam ndier…
Në çfarë forme? Kur ke konstatuar gjatë karrierës sate artistike se të janë vendosur "shkopinj nën rrota”?
Bërrylat në profesionin tonë janë më se të dukshëm dhe ndonjëherë të justifikuar. Është çështje egoje personale, për të qenë e para dhe për të mos u pozicionuar thjesht në ndonjë cep. Kam pasur plot situata të vështira në Teatrin e Operës dhe Baletit, por që nuk besoj se do i rrëfeja kurrë. Veprime të kryera me apo pa dashje, situata konfliktuale dhe që të vështirësojnë punën haptazi… kjo pak rëndësi ka. Të tilla gjëra i kam mbajtur për vete dhe ato më kanë bërë më të fortë, më kanë shtuar dëshirën për të punuar edhe më shumë e për të qenë një balerinë profesioniste dhe e kualifikuar.
Sa e rëndësishme është ajo skenë për ju?
Puna në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit më pëlqen shumë. Çdo rol që më besohet për t’u interpretuar, e bëj me shumë kënaqësi dhe dëshirë. E marr seriozisht punën dhe jap më të mirën time. Kam debutuar si balerinë në shfaqje si "Liqeni i Mjellmave”, "Hëna blu”, recitali shqiptar "Halili dhe Hajria” e disa interpretime të tjera. Të gjitha i konsideroj si sprova të miat, sepse kam dhënë maksimumin tim për një performancë të mirë, që është vlerësuar shumë.
Nëse nuk do të ishte bërë balerinë, çfarë profesioni tjetër do kishe zgjedhur?
Aktore, pa më të voglën mëdyshje. Aktrimi është një nga ëndrrat e mia në sirtar. Më tërheq pa masë ky zhanër artistik, por duke pasur prirjet më të mëdha në balet, zgjodha këtë të fundit. Mendoj se do të isha bërë edhe një stiliste shumë e mirë, pasi kam të dhëna edhe për këtë fushë, kam talent dhe dëshirë për të realizuar kompozime me punë dore, të stiloj veshjet e mia etj.
Cilat janë projektet e tua të radhës?
Përveç spektaklit "Dancing with the stars” ku jam e angazhuar, po punoj paralelisht edhe për një shfaqje shumë të rëndësishme artistike që do të ngjitet në skenën e TKOB në datë 11 qershor. Detajet… po i lë surprizë…
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus
Horoskopi ditor


    Top Filmat për këtë javë
  1. The Lion King 3D
  2. Johnny English Reborn
  3. The Three Musketeers 3D
  4. Footloose
  5. Real Steel
  6. Contagion
  7. Paranormal Activity 3
  8. The Adventures of Tintin: The Secret of the Unicorn 3D