Kryesore » 2011»Dhjetor»16 » Çiljeta: Pas “shtatzënisë”, momenti për të krijuar familje
4:28 PM
Çiljeta: Pas “shtatzënisë”, momenti për të krijuar familje
Ajo është thjesht e parezistueshme, ngado që shkon të gjithë flasin për të. Mjafton të dalë në një pub në mbrëmje dhe paparacët janë në gjueti të saj. Por ndoshta jo edhe për shumë kohë, pasi këngëtarja seksi, e cila këto kohë ka realizuar edhe një rol të rëndësishëm në një film me metrazh të gjatë në Itali (në kastin e së cilit ka aktorë shqiptarë dhe italianë); thotë se do vijë një ditë që do ta mbledhë mendjen; do krijojë familjen dhe natyrisht do t’i duhet të heqë dorë nga angazhimet e deritanishme… Të paktën lidhje në distancë me të dashurin që jeton në Londër, Aleksandër, është duke shkuar shumë mirë! Në intervistën për "standard” Çiljeta tregon ambiciet për kinematografinë, pse jo edhe Hollivudin; projektet e reja muzikore, por pa lënë pas dore profesionin e saj të ardhshëm - politikën!Çiljeta, sapo ke mbyllur xhirimet e filmit "Floorless” që është realizuar në Itali. Na trego diçka rreth kësaj eksperience.Ishte një eksperiencë shumë e veçantë, ndryshe nga dy eksperiencat e mëparshme filmike që kam pasur, sepse është një film me përmasa më të mëdha, me aktorë të huaj. Për më tepër, fakti që në këtë film unë flas italisht, ka qenë një eksperiencë më vete e veçantë. Të aktrosh në shqip është ndryshe, normal që në italisht është më e vështirë, pavarësisht se unë e njoh italishten.
Si të erdhi propozimi për të marrë pjesë në këtë produksion të pavarur?
Me regjisorin Jemtir Pjetërnikaj kam vite që njihem, prej tij kam marrë shumë vite më parë një propozim për të realizuar një film. Më në fund, erdhi momenti pas kaq shumë kohësh. Dua të them se me Xhetin (Jetmiri) kemi në projekt edhe një film tjetër që do të realizohet gjithashtu së shpejti. Shpresojmë që të shkojë mirë.
Ty si të është dukur vetja si aktore?
Në fakt, profesioni që më ka pëlqyer gjithmonë të jem është fotomodele dhe aktore. Jo se muzika ka qenë e rastësishme sepse edhe pse jo të gjithë e mbajnë mend, për herë të parë në skenë unë kam dalë si këngëtare. Më pas më ka marrë rrjedha…, fakti që bëra më pas disa këngë hite, më dha kurajon për të vazhduar me muzikën, duke qenë se kinematografia këtu te ne nuk është shumë e zhvilluar. Nuk më ka pëlqyer ndonjëherë të jem aktore teatri, ndaj edhe nuk kam kryer studimet e larta për Dramë, por për Shkenca Politike. Më ka pëlqyer të jem aktore filmash, jo teatri.
D.m.th. të pëlqen më shumë Hollivudi?
Po, me pak fjalë.
Dhe që të jesh e kompletuar, po eksperimenton, po tenton që të gjesh veten kudo?
Po, pse jo?! Çdo njeri ka ëndrrat e veta, unë kam qenë me fat që kam realizuar dhe kam prekur paksa nga të tëra, si te prezantimi, te fotomodelimi etj.
Në film merr pjesë gjithashtu Bjordi Mezini, djaloshi simpatik që mbajmë mend nga "Big Brother” dhe më pas "Dancing with the stars”. Si je ndier pranë tij?
Me Bjordin jam ndier shumë mirë, jemi njohur që më përpara në fakt. Bjordi ka qenë një fans imi te "Dancing with the stars” (Qesh). Është një djalë shumë i dashur, i komunikueshëm, i pastër, i qetë.
Të ka ndihmuar gjatë rolit, duke të këshilluar?
Po, sigurisht që po, sepse ai e përvetëson në mënyrë të përsosur italishten, kështu që më ndihmonte me batuta gjatë xhirimeve.
A ka ndonjë moment pikant që ka ndodhur gjatë xhirimeve, që do doje ta ndaje me ne?
Mund të them se jam "çmendur” me atë barkun e shtatzënisë që kam mbajtur për një muaj dhe kam kuptuar që nuk është edhe aq e lehtë të jesh shtatzënë.
Kjo do të thotë që për disa kohë s’do të të shkojë mendja për fëmijë?
Jo, jo, edhe nëse e kam pasur në plane, për njëfarë kohe nuk do më shkojë mendja sepse më duket sikur e kam përjetuar mjaftueshëm këtë pjesën e shtatzënisë.
Të ndalemi pak te muzika. Cili është prioriteti i radhës, pasi duket se muzikën e ke lënë disi pas dor e?
Nuk do thosha që e kam lënë pas dore, sepse në gusht nxora një hit me Vanin, duke qenë se jam natyrë që nuk më pëlqen të bëj shumë këngë në vit. Më pëlqen të punoj një ose dy këngë në vit.
Dukesh bukur me këtë ngjyrë flokësh? I ke lënë pas eksperimentimet më duket.
Kam përshtypjen se çdo gjë është me moshë. Besoj se kur je më e vogël ke dëshirë të eksperimentosh më shumë me ato që dalin në modë, njëherë i bën të kuqe, një herë karotë, herën tjetër i ndryshon krejtësisht e kështu me radhë. Jam lodhur ndoshta dhe po më pëlqen të rri më mirë te natyralja, aq më tepër që me ngjyrën natyrale të flokëve mund të rrish shumë mirë edhe pa make-up sepse unë në jetën e përditshme nuk bëj shumë grim. Si rrallëherë, kësaj radhe, me këtë look ndjehem edhe vetë më mirë, më pëlqen vetja.
Angazhimi politik si po shkon, a ka ndonjë të re?
Për momentin jam e angazhuar si anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së, sigurisht që jam pjesëmarrëse në mbledhjet që zhvillohen. Kaq.
Është shkruar për Greta Koçin, kanë bërë madje një krahasim me ty...
Në këtë periudhë, me sa mbaj mend, unë kam qenë në Amerikë dhe nga Amerika kam shkuar menjëherë në Itali dhe nuk e kam ndjekur shumë, përveç 2-3 herëve që kam ardhur në Shqipëri. Mua vetëm më vjen mirë, sa më shumë artistë të integrohen në politikë, sidomos në partinë që unë përfaqësoj, aq më mirë është.
Nuk ka rivalitet mes jush?
Absolutisht jo.
Dashuria. Si po shkon lidhja në distancë mes teje dhe Aleksandrit?
Shumë mirë, distanca ka vështirësitë e veta sepse të merr malli, por them se kjo lidhje në distancë më ka bërë shumë mirë sepse kam shumë më tepër kohë për veten time, që të merrem me projektet e mia. Mendoj se faktin që e takoj një herë në muaj mjafton disi.
Për sa kohë mund të funksionojë një lidhje në distancë?
Unë tashmë po bëj një vit e gjysmë. S’e di si do vazhdojë, sepse Aleksandri i ka ndërtuar gjërat e veta atje, unë të miat këtu, por kur të vijë momenti për të ndërtuar diçka së bashku, do jetojmë së bashku në një njëjtin vend, dikush duhet të bëjë një sakrificë.
Do ishte ti e gatshme ta bëje këtë sakrificë?
Sigurisht që po.
Do ta lije karrierën për familjen?
Sigurisht që po, do vijë ajo ditë, pas të 30-ave me doemos.
Së fundmi, viti 2012 çfarë të rejash do sjellë për Çiljetën?
Kam rreth një vit që dua të bëj një bashkëpunim me një këngë regaton, pasi është shumë në modë kjo rrymë. Bëhet fjalë për bashkëpunimin e premtuar me Noizy-n, por projekti është anashkaluar disi për shkak se të dy kemi qenë shumë të zënë me angazhime të tjera. Nuk jemi përputhur me këto gjëra, ndaj e lamë disi pezull. Po ashtu, bashkëpunimi do jetë edhe me Dj Blunt në Kosovë dhe me grupin "TDS”, djemtë e të cilit, edhe pse të rinj, janë shumë të talentuar. Në plan të parë nuk është kënga, por klipi, pasi do realizohet jo thjesht një video, por një film i vërtetë. Do të jetë shumë i kushtueshëm dhe impenjativ
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus
Top Filmat për këtë javë
The Lion King 3D
Johnny English Reborn
The Three Musketeers 3D
Footloose
Real Steel
Contagion
Paranormal Activity 3
The Adventures of Tintin: The Secret of the Unicorn 3D
Logged in as Guest | Group "Guests"Welcome Guest | RSS