Kryesore » 2012 » Mars » 30 » Afërdita Dreshaj & Adelina Tahiri “Çmenduritë dhe sekretet që nuk na kanë ndarë dot”
2:30 PM
Afërdita Dreshaj & Adelina Tahiri “Çmenduritë dhe sekretet që nuk na kanë ndarë dot”
Janë të bukura dhe të suksesshme, po aq sa janë të veçanta në jetët e tyre jo vetëm artistike por edhe private. Megjithatë shoqëria e tyre nuk ka kaluar pa u komentuar në forma nga më të ndryshmet, sidomos pas fotove provokuese, për të cilat u tha se vajzat po shfaqnin shenja lesbizmi mes tyre. Po kjo është vetëm një nga gjërat "e çmendura” që ato bëjnë bashkë. Afërdita Dreshaj dhe Adelina Tahiri, dy biondet e bukura në këtë intervistë tregojnë miqësinë, çmenduritë por edhe disa sekrete mes mikesh, po pse jo edhe rivalesh.

Vajza, na thoni pak si po ia kaloni në Tiranë?



Afërdita: Ngaqë jemi bashkë të dyja, Tirana është edhe më e bukur. Ditët janë me diell, nuk e di a ndriçojmë ne (qesh)…



Adelina: Kur nuk jemi ne në Tiranë, kemi dëgjuar që nuk ka diell, vetëm shi (qesh). Unë kur jam me Afërditën, qoftë në Tiranë, Shkup, Mal të Zi apo Amerikë, ia kaloj shumë mirë. Është e vërtetë që kur ke shoqëri të mirë ia kalon mirë kudo që të jesh.



Duket se kudo jeni bashkë, pak më parë në Amerikë, tani në Tiranë. Jeni bërë të pandashme, na i sqaroni pak këtë punë…



Afërdita: Ekskluziviteti është që jemi shoqe të pandara. Kemi qenë bashkë në Amerikë. Adelina erdhi për herë të parë në Amerikë dhe i pëlqeu shumë. Pastaj na qëlloi që erdhëm të dyja në "Dancing” dhe kjo na bëri më shumë që t’i themi PO këtij spektakli. Meqenëse jemi shoqe të ngushta, nuk kemi për t’u mërzitur dhe do ia kalojmë mirë bashkë.



Adelina: Afërdita bashkë me familjen e saj më kanë pritur shumë mirë në Amerikë dhe do doja të shkoja prapë sapo të më jepej mundësia. Sapo të mbaroj spektakli do shkoj sërish në SHBA dhe ndoshta ta bezdis pak Afërditën. Kështu që është privilegj që jemi në DWS bashkë.



Si është e vërteta e fotove provokuese gjatë kohës që ishit në SHBA?



Afërdita: Me Adelinën, si të puthemi në faqe dhe në buzë, njëlloj është. Nuk është foto provokuese sepse tani puthja në buzë është bërë si puthje në dorë. Ne jemi shumë të afërta, tallemi shumë,jemi vajza që bëjmë edhe shaka. Nuk e kemi problem se çfarë do të ndodhë.



Adelina: Kemi dashuri mbi të gjitha miqësore dhe jemi vërtet si motra. Nga momenti që njihemi e deri tani nuk jemi zënë asnjëherë. Ka shumë kohë që jemi shoqe, por nuk e përziejmë punën me shoqërinë. Kjo na bën të ndihemi shumë të lira dhe fotografohemi. Ka njerëz që i marrin për ters apo i komentojnë, por kjo gjë ne nuk na shqetëson aspak. Ne ndihemi mirë në atë që bëjmë.



Kur ka lindur miqësia juaj vajza?



Afërdita: Adelina është nga Shkupi, prej nga është edhe Shpati. Ai është i pari që më ka njohur me Adelinën, pasi edhe familja e tij ka miqësi me familjen e saj. Në fillim nuk e njihja Shkupin dhe kjo më ka treguar qytetin. Kështu ka lindur miqësia, pasi kishim edhe shumë gjëra të përbashkëta.



Adelina: Kur e kam parë Afërditën me Shpatin i kam thënë këtij: "Kush është kjo femër e bukur?” Unë femrat e bukura i dashuroj, ato femra që dinë ta mbajnë veten. Çdo femër është e bukur, mjafton që ta mbajë pak veten. Po Afërdita vërtet ishte shumë e bukur dhe Shpati që po ma prezantonte me krenari. Në fillim më ka pëlqyer si femër, por nuk ishte vetëm bukuria. Ishte karakteri ai që na ka lidhur dhe që sot e kësaj dite jemi në të njëjtën tavolinë.



Çfarë kritikash bëni? A ndjeni xhelozi për ndonjë këngë të njëra-tjetrës?



Afërdita: Jemi shumë të lira në këtë aspekt. I them p.sh. Adelinës, "kjo këngë nuk po më pëlqen fare”, "çfarë ke veshur ashtu, katastrofë…’.



Adelina: Tani që jemi në "Dancing with the stars” unë ia tregoj hapat dhe i them, këtë nuk e bëj mirë. I tregojmë njëra-tjetrës edhe dobësitë.

Afërdita: Publiku dashuron diçka tek Adelina që unë nuk e kam dhe anasjelltas.



Tani jeni bërë si binjake…



Adelina: Ka shumë njerëz që kur na shohin nga larg na thonë që dukemi si binjake. Ngaqë rrimë bashkë edhe sjelljet i kemi të ngjashme.



Çfarë çmendurish keni bërë bashkë të dyja?



Afërdita: Kemi bërë diçka shumë të bukur. Para dy ditëve ishim përballë Kuvendit, por kishte shumë parkim dhe nuk kishim ku të linim makinën për të ngrënë bukë. Lejohej vetëm për zyrtarë. I them Adelinës, ma lër mua në dorë këtë punë. I fola djalit që ishte aty dhe ai më tha që nuk lejohej pasi ishte vetëm për ministrinë. Pastaj unë i thashë që e kam mik Sali Berishën. "Vërtet?!” më pyeti ai. Dhe unë ia ktheva: "Ja, po e marr në telefon”. "S’ka problem”, më tha dhe kështu e siguruam parkingun. (qesh).



Po në Amerikë?



Afërdita: Adelina nuk mund të shkonte në klubet e natës aty, pasi nuk është ende 21 vjeçe ndaj nuk kemi bërë ndonjë çmenduri nga jeta e natës. Ne e duam shopingun jashtë mase dhe ka ndodhur më shumë se disa herë të kthehemi në shtëpi me të njëjtat bluza që kemi blerë më parë.



Adelina: Problemi më i madh ishte se zakonisht blejmë shumë dhe unë nuk i them, Afërdita mos e merr këtë, siç ndodh me shumë shoqe të tjera. Ne jemi e marrim këtë, edhe këtë, ja edhe kjo se na duhet për në spektakël.



Afërdita: I thoshim njëra-tjetrës, prej nesër do fillojmë t’i ruajmë lekët. Pasi dilnim, "a e blejmë dhe këtë, edhe këtë…” e kështu shtyhej koha e kursimit (qesh).



Afërdita, ti e dije që po të jesh mikeshë e Kryeministrit zgjidhen gjërat?



Unë nuk e di. Ia futa kot (qesh). Ishim aq të lodhura sa nuk kishim ku të gjenim parking tjetër. Nëse Kryeministri e lexon këtë intervistë, faleminderit në emrin tim se prej parkingut hëngrëm bukë.



Afërdita, si më e madhe për çfarë e kritikon Adelinën, sidomos për ndonjë mashkull?



Adelina: Në shoqëri harrohet mosha, por unë e pyes, i marr mendim Afërditës, por edhe ajo mua.



Afërdita: Sikur më dëgjon kjo (qesh)…



Ke refuzuar ndonjë çun sepse Afërdita të ka thënë "nuk është për ty”?



Adelina: Po, po. Ka ndodhur. Nëse nuk e pëlqen Afërdita, unë e heq nga lista (qesh).



Afërdita: Nëse nuk më pëlqen mua, harroje (qesh).



Kur shihni që njëra ka më shumë klikime se tjetra në youtube për këngët tuaja, bëheni pak xheloze?



Afërdita: Jo. Definitivisht jo. S’ka shanse. Ne jemi vajza që nuk shohim komentet dhe të na prekin. Nuk kemi pse të mërzitemi ne pse dikush mund të shkruajë gjëra të ndryshme.



Adelina: Mund të ketë komente p.sh., që Afërdita është më e mirë se Adelina apo e kundërta, nuk shkon t’i lexojmë sepse secili ka vizionin e vet. Ne jemi shoqe sepse shkojmë mirë njëra me tjetrën. Nëse do të kishte xhelozi të tilla nuk do të ishim shoqe prej kaq vitesh. Koha i tregon të gjitha. Puna është diçka tjetër dhe shoqëria tjetër, por ndihem e lumtur që kemi të njëjtën fushë, sepse shpesh na qëllon të jemi në koncerte të dyja bashkë. Jam krenare që kam një shoqe kaq të mirë.



Jeni bërë dyshja më e mirë kështu?



Afërdita& Adelina: Po jemi. Bukuria, zgjuarsia dhe mirësia nuk kanë fund, po të dyja bashkë jemi. Nuk ka më mirë se ne (qeshin). Ndoshta bëjmë dhe një grup bashkë.



Cila kërcen më bukur, kush e dredh më bukur belin?



Afërdita: Belin më bukur e dredh Adelina. Unë i kam këmbët më të gjata për padjeshkat.



Adelina: Secili ka stilin e vet. Nuk mund ta krahasosh Afërditën me mua, as mua me Afërditën, jemi të ndryshme. Të krahasosh p.sh. Beyoncen me Rihannën, secila ka të veçantat e veta. Dallohemi të dyja nga specifikat përkatëse.



Si do ia bëni kur njëra nga të dyja do të skualifikohet e para?



Afërdita: E kemi biseduar edhe këtë. Shpresojmë mos të na nxjerrin të dyjave në "Dance off”.



Adelina: Unë do ndjehesha shumë krenare nëse fiton Afërdita dhe jo dikush tjetër.



Afërdita: Ne jetojmë në një shtëpi bashkë tani që jemi në Tiranë. Me rëndësi është që të dyja të dalim mirë. Normalisht që njëra do dalë e para.



Adelina: Nëse dal unë apo Afërdita, do vazhdojmë të rrimë sërish bashkë për t’i dhënë inspirim tjetrës që do ngelet në garë.



Tani që po rrini bashkë, çfarë ju bezdis tek njëra-tjetra?



Adelina: Mua më bezdis Afërdita që blen çokollata.



Afërdita: Po. Ajo më tha që mos të blej çokollata dhe unë i thashë "pse më le t’i të blej”. Është interesante se i bëjmë planet bashkë. Sot p.sh. është dita për të pastruar, gjithë ditën punë. Bezdisem ndonjëherë se Adelina ka qejf të eci me makinë, ndërsa unë i them hajde të shëtisim më mirë.



Adelina: Afërdita do të më rrahë, sepse nuk i kam nxjerrë rrobat nga lavatriçja sot.



Afërdita: Akoma jo?!!!!



Kush është më punëtore nga ju të dyja?



Afërdita& Adelina: Të dyja. Jemi çmendurisht të pastra. Madje dje po mendonim të merrnim dikë për punët e shtëpisë, sepse prej provave nuk kemi shumë kohë.



Cila mërzitet më shpejt?



Afërdita: Kurrë nuk na ka ndodhur që të mërzitemi. Adelina u mërzit sot që nuk ndenja në prova.



Adelina: Vërtet që nuk ka ndodhur kurrë të mërzitemi me njëra-tjetrën.



Jetën e natës, cila e do më tepër?



Afërdita: Jemi bërë plaka të dyja. Nuk dalim fare.



Adelina: Kur dalim, zgjat vetëm një orë. Njëlloj i kemi shijet edhe në këtë pikë.



Adelina, ti je single. Nuk të vijnë oferta për të dalë vetëm?

Nuk ka femër që nuk ka oferta për të dalë.



I refuzon të gjithë për Afërditën?



Afërdita: Jo. Ne nuk jemi aq të pandashme.



Adelina: Ende nuk ka ardhur momenti që unë ta kem një person, por edhe kur të ndodhë, nuk do të lejojë që të na pengojë. Do të jetë më mirë edhe për Shpatin.



Besoj duhet domosdoshmërisht t’i pëlqejë edhe Shpatit?



Afërdita: Patjetër.



Adelina: Kur ta kem një person në krah, duhet ta kalojë provimin tek Shpati dhe Afërdita.



Ushqimet tuaja të preferuara cilat janë?



Afërdita: Mos na pyesni pasi jemi të dashuruara pas ushqimeve. Hamë shumë. Interesante se dhe në ushqim i kemi shijet njëlloj.



Adelina: Ndonjëherë habitem se edhe erërat e parfumeve i ndjejmë njëlloj. Një rast i fundit ishte kur Afërdita donte të blinte një parfum të ri "Prada” dhe që unë nuk ia duroja dot erën, më përzihej. Afërdita e mori dhe i ndodhi e njëjta gjë.



Një këngë bashkë kur do ta bëni?



Adelina: Do ta bëjmë një ditë, por një gjë të veçantë që deri më sot nuk e ka bërë askush. Ka bashkëpunime shumë mes këngëtarëve, po ne presim momentin që të nxjerrim diçka më ndryshe nga të tjerët. Ta tregojmë që jemi të njëjta, por del interesante, në këngë del diçka ndryshe. Ne do dalim, por njerëzit mos ta dallojnë se i kujt është klipi i Adelinës apo i Afërditës.



Veç gjërave të përbashkëta, ku jeni totalisht të kundërta?



Afërdita: Unë e kam fytyrën më të thatë, Adelina më të yndyrshme. Unë e kam numrin 41, kjo 39. Adelina pëlqen Beyonce unë Rihannën.



Çfarë mund ta prishë miqësinë tuaj?



Afërdita: Unë nuk besoj se mund ta prishë diçka, as ndonjë thashethem apo ndonjë gjë tjetër. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ne do ta duam diçka të tillë. Ne nuk jemi çift që të prishemi për tradhti, ne jemi thjesht shoqe të ngushta.



Adelina: Unë mendoj se prej kaq kohësh që jemi bashkë nuk do ta prishim shoqërinë për diçka të vogël. Veç kësaj kemi shumë vetëbesim tek vetja dhe ajo që kemi me njëra-tjetrën.



Çfarë sakrificash keni bërë për njëra-tjetrën?



Afërdita: Bëj shumë.



Adelina: E hap çokollatën dhe më thotë haje (qesh).



Afërdita: I dalim zot njëra-tjetrës, të gënjejmë…këto i kemi bërë.



Keni kapur ndonjë femër tjetër prej flokësh për njëra-tjetrën?



Adelina: Ka pasur raste që kanë dashur të na hedhin në sherr apo të na largojnë, por nuk e kanë arritur.



Afërdita: Mund të kemi prishur marrëdhënie me ndonjë person që fliste keq për ne të dyja.



A bëhet ndonjëherë Shpati xheloz ngaqë rrini shpesh bashkë?


Afërdita: Para dy ditësh po rrinim të dyja me Adelinën në dhomë duke parë televizor…



Adelina: Kishim harruar që ekzistonte.



Afërdita: Vjen Shpati i veshur me pizhame dhe na thotë natën e mirë. I them "ku po shkon zemër”, "po iki të fle, ju rrini”, më thotë. "Nuk ka ardhur puna deri aty”,- i thashë (qesh).
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus
Horoskopi ditor


    Top Filmat për këtë javë
  1. The Lion King 3D
  2. Johnny English Reborn
  3. The Three Musketeers 3D
  4. Footloose
  5. Real Steel
  6. Contagion
  7. Paranormal Activity 3
  8. The Adventures of Tintin: The Secret of the Unicorn 3D