Kryesore » 2011 » Korrik » 10 » Adelina Muça: E “detyrova” tim shoq të puthej me një femër tjetër!
5:23 PM
Adelina Muça: E “detyrova” tim shoq të puthej me një femër tjetër!
Ka vetëm pak muaj që ka dalë nga auditoret e Fakultetit, realizon si regjisore e sapodiplomuar një shfaqje mirëfilli artistike, fiton çmimin si "Regjisorja më e mirë” në Festivalin e Teatrove në Maqedoni dhe ndihet tërësisht e realizuar që me të "parën” goditi në shenjë!
Dikur dy të dashuruar, tanimë të ndarë… Ai tenton të bëjë "katarsis” me veten duke kthyer kokën pas në gabimet e të kaluarës, ndërsa ajo rikthehet e bindur për të marrë hak kundër tij! I dhurojnë momente intime njëri-tjetrit, ndërsa Katerina thellë-thellë ishte e vetëdijshme se po i dhuronte Markos sëmundjen e Sidës. Subjekti i shfaqjes "Romancë në ditën e krimit” e bëri për vete regjisoren e re Adelina Muça, që në momentin e parë që i ra në dorë, madje nuk vonoi ta cilësonte si sfidë personale artistike. I ndodh shpesh t’i vendosë notën 10 vetes! E ngjan se siguria ka arsyet e veta… Punon shumë, kërkon ide të reja, materializon karaktere artistike dhe asnjëherë nuk ngjitet në një skenë teatri nëse në vetvete nuk është e bindur se ka bërë një punë të paqme. Këtë herë madje kishte tentuar të ndryshonte rolet edhe me bashkëshortin e saj në jetë, regjisorin e aktorin Hervin Çuli. Dikur një ish-protagoniste e regjive të tij e në këtë shfaqje ishte Hervini nën urdhrat regjisoriale të Adelina Muçës. Një marrëdhënie e veçantë ajo e të punuarit me bashkëshortin, një subjekt që u ofrua me gjithë gjetjet e spikatura regjisoriale dhe një vepër që u duartrokit gjatë, deri në vlerësimin me çmimin e regjisë më të mirë. Adelina rrëfen shumëçka…
Regjia e parë dhe çmimi i parë… Ngjan se keni qëlluar me të parën në shenjë…
Nuk më mungon modestia për ta pranuar këtë. Për mua ky çmim do të thotë shumë, sepse në këtë krijimtari hodha shpirtin tim për të përftuar një produkt të denjë artistik. Kam qenë e sigurt që kam bërë një punë shumë të mirë, një shfaqje të realizuar me të gjithë komponentët e duhur. E në këtë pikë më kanë ndihmuar eksperienca në Teatrin e Metropolit si përgjegjëse e artit skenik, roli si asistente në disa shfaqje të regjisorëve shqiptarë, por edhe të huaj, asistente në TKOB, gjithashtu kam punuar dy vjet në një teatër në Itali dhe të gjitha këto eksperienca më kanë ndihmuar të gjej veten time profesionalisht dhe të jap një produkt cilësisht të mirë. Padiskutim që vlerësimi dhe çmimi më gëzon. Në fillim kur mësova për vlerësimin nuk ndjeva ndonjë emocion shpërthyes apo lumturi të jashtëzakonshme. Ndoshta edhe prej faktit që ishte hera ime e parë si regjisore dhe kjo sfidë e parë më ndihmoi në kontrollin e vetvetes. Ky çmim më shton dëshirën për të punuar më shumë, për ta çuar më tej artin dhe krijimtarinë time dhe padiskutim më rrit përgjegjësinë për kualitetet artistik.
Bashkë me shfaqjen tuaj konkurronte edhe "Hiqeni ministrin nga priza” dhe "Lojë martese”, me protagonist aktorin Alfred Trebicka. A ndihej konkurrenca?
Po nuk pati konkurrencë nuk ka zhvillim në asnjë lloj fushe, jo vetëm në art. Ne shkuam në festival me idenë në kokë për të fituar një çmim. Konkurrenca ndihej, por unë e konsiderova këtë shfaqje si sfidë personale. Isha e bindur se kisha punuar shumë me poetikën e shfaqjes, me gjetjet regjisoriale, me ndriçimin, me fotografinë, kostumet e personazheve, skenën.. gjithçka… Kjo më dha siguri dhe, kur fitova çmimin, vërtet besova se ia kisha dalë mbanë.
Na flisni pak për këtë laborator ku materializohen personazhet, nga letra në skenë…
Kam punuar me aktorët shumë. Eralda Çaushaj dhe Hervini kanë qenë një skuadër e fortë. Shfaqjen e kam mbajtur në një rrafsh të realitetit. Gjetjet e dialogut mes aktorëve, lëvizjet mizanskenale, ndriçimi e shumë detaje të tjera regjisoriale i kanë shtuar ngjyrat dramës. Është një moment kur Kristina i thotë Markos që "kam ardhur të të marr dhe kam një orë me vete…” dhe në këtë moment ulet ndriçimi dhe Kristina me një dorashkë të kuqe që ka në dorë tenton t’i marrë frymën Markos. Ajo nuk është një personazh konkret, është një e imagjinuar që Marko e sjell për të bërë pastrimin e vetes.
Në shfaqje interpreton Hervin Çuli, që njëkohësisht është edhe bashkëshorti juaj. Ju keni qenë dy herë aktore e shfaqjeve të tij, në atë "E Zonja e Bujtinës” dhe "Udhëtim pa viza i një alieni”. Si ishte të punoje këtë herë duke ndërruar rolet?
Me Vinin gjithçka që kemi në jetën e përditshme nuk është ajo që kemi në punë. Dimë të respektojmë pozicionin e gjithësecilit. Në momentin që erdha, unë si regjisore dhe ai si aktor, në një farë mënyrë "i mora hakun” për lodhjen që më ka shkaktuar, kur unë isha aktore. Ai ka ngulmuar me natyrën e tij që shumë gjëra t’i bëja ndryshe në regji, por me mendjen time e shtyja drejt analizimit të çdo skene dhe në fund i jepnin të drejtë njëri-tjetrit. "Dil bëj aktorin dhe bëj gjërat që të them unë…!”, këtë ia përsërisja shpesh.
Ka pasur gjëra për të cilat ka hezituar t’i bëjë?
Ka pranuar gjithçka edhe kur unë i thosha që duhet të përshkonte me dorë trupin e Eraldës dhe unë që isha aty përballë.. I kam çuar deri sa të puthen me njëri-tjetrin, por kjo vetëm për të arritur qëllimin e punës.
Në rolin e Letës tek "Udhëtim pa viza i një alieni” keni qenë tetëmuajshe shtatzënë me Nohan, ç’ndjesi ju përcillte?

Ishte një emocion i patjetërsueshëm e në një kohë që aktroja përkëdhelja fëmijën tim në bark. Dhe tanimë që ime bijë është 10-muajshe, gjatë provave për regjinë e shfaqjes e kam marrë shpesh me vete. Në një dorë i kam vendosur biberonin, në një tjetër çast kam drejtuar aktorët në skenë.
Adelina, cilat janë projektet që të presin?
Fillimisht, projekt është vendosja në skenën e teatrit këtu në Tiranë e shfaqjes "Romancë në ditën e krimit”, pas debutimit që kemi pasur në Durrës, në Maqedoni dhe një ftese që e kemi refuzuar në Rusi, për shkak të pamundësive financiare. Mandej, jam e ftuar në një teatër në Itali, ku do të punoj për një shfaqje si asistente regjisore. Dëshira për shfaqje dhe projekte të reja nuk më mungon.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus
Horoskopi ditor


    Top Filmat për këtë javë
  1. The Lion King 3D
  2. Johnny English Reborn
  3. The Three Musketeers 3D
  4. Footloose
  5. Real Steel
  6. Contagion
  7. Paranormal Activity 3
  8. The Adventures of Tintin: The Secret of the Unicorn 3D