Kryesore » 2011 » Qershor » 12 » Suzana, e shoqja e aviatorit Sefedin Tomçini: Im shoq dha jetën për të shpëtuar Lushnjën nga predhat
2:17 PM
Suzana, e shoqja e aviatorit Sefedin Tomçini: Im shoq dha jetën për të shpëtuar Lushnjën nga predhat
Plot 34 vjet nga vdekja e aviatorit, e Dëshmorit të Atdheut, Sefedin Tomçini, bashkëshortja, Suzana dhe e bija, estetistja, Elda Tomçini, tregojnë vitet që kaluan pranë tij. Përjetimi i tragjedisë vetëm një ditë përpara se ai të mbushte 35 vjeç. Si u rritën dy vajzat e vogla nga një nënë e ve, vetëm 26 vjeçe, përballja me vështirësitë e jetës dhe krenaria e të qenit gruaja dhe vajza e Heroit të Kombit
Atë natë qershori, ai kishte 35-vjetorin e lindjes. Ishin bërë të gjitha përgatitjet paraprake, blerja e dhuratave… Kishte parashikuar një ditëlindje të gëzueshme me njerëzit e afërm e miqtë e ngushtë. Por, nuk e kishte menduar kurrë, për më tepër bashkëshortja e tij Suzana Tomçini, se pikërisht 8 qershori i vitit 1977 do të kthehej në ditën e përkujtimores së vdekjes së tij. Të shumta ishin sinjalet paralajmëruese se atë mëngjes Sefedini do të shkonte në punë, për të mos u kthyer më i gjallë. Iku si kurrë më parë ndër ato vite martesë, pa e përqafuar të shoqen. Ishte e martë, por jo një ditë si gjithë të tjerat… Defekti që pësoi avioni Mig 19 do i merrte jetën aviatorit të talentuar, babait të dy vajzave të mitura, Eldës gjashtë vjeçe, dhe Arlindës vetëm disamuajshe. Por, heroizmi i tij do të dëshmohej tjetërkund. Vetëm për të shmangur një tragjedi njerëzore në qytetin e Lushnjës, mbi të cilin ai ishte duke fluturuar, manovroi mjetin drejt një pylli, ku u dorëzua bashkë me jetën e tij. Këtë herë ishte parashuta që e tradhtoi. Ajo nuk u hap kurrë më… Bashkë me të, u mbyll edhe jeta e aviatorit të nderuar, Sefedin Tomçini.
Mbushen plot 34 vite qëkur bashkëshorti juaj ndërroi jetë në krye të detyrës. Çfarë kujtoni ju nga 8 qershori i 1977-s?


Atë ditë, Sefedini kishte një fluturim të rëndësishëm në lartësi të mëdha. Unë isha me raport në shtëpi, pasi vajza e vogël Arlinda ishte me temperaturë për shkak të daljes së dhëmbëve. Një natë më parë, im shoq kishte studiuar e lexuar gjithë natën në kuzhinë, ndërsa unë për shkak të vajzave fjeta në dhomën e gjumit. Ishte ditë e martë, 7 qershor. Atë mëngjes, Dinja ishte zgjuar herët në mëngjes, kishte shkuar për të blerë qumështin dhe, për të mos na zgjuar mua dhe vajzat e vogla, i lë shishet tek dera dhe largohet… Por, unë i ndjeva hapat. E kishim zakon të përhershëm që përpara se ai të nisej për punë, ne përqafonim njëri-tjetrin. Atë ditë nuk ndodhi kështu…
Pse, çfarë kishte ndryshe atë ditë?
Ndërkohë që po i jepja vajzës së vogël për të pirë, e shkëpus nga gjiri, dal në dritaren e dhomës dhe e pyes se kur parashikonte të kthehej nga puna atë ditë… Duke mos ditur çfarë të më thoshte, më jep vetëm një përshëndetje me dorë dhe ikën. Parandjenja më thoshte diçka të keqe, por nuk doja ta pranoja. Gjithë ditën u mora me punët e shtëpisë, lava rroba dhe diku rreth orës 10.00 të paradites dëgjoj fluturimin e furishëm të një avioni. Një dridhërimë më përshkoi gjithë trupin.. Por, rreth orës 15.00 ishte orari kur Dinja kthehej nga puna dhe unë e kisha bërë zakon që të dilja ta prisja në hyrje të shkallës së pallatit. Ashtu bëra edhe atë ditë. Mora vajzën e vogël në krahë dhe Eldën, të madhen për dore e dola poshtë pallatit. Kur ç’të shihja… Në drejtim të pallatit po drejtohej një autokolonë ushtarakësh e aviatorësh me kokat e ulura e kapelat e hequra nga koka. Nuk mendoja se ata kishin ardhur për të më dhënë mua lajmin e kobshëm, sepse pallati në të cilin banonim ishte i gjithi pallat aviatorësh. Por, në krye të tyre dalloj time motër(e cila punonte në Rinas) dhe bashkëshortin e saj, aty u tmerrova. Nxitova të kërkoja me sy ndër kokat e atyre ushtarakëve për Sefedinin, por nuk po e dalloja. M’u errën sytë e të gjithë më dukeshin njësoj. I bërtas sime motre, duke e pyetur se ku ishte Dinja.. Asnjë përgjigje… Në ato momente më bien çelësat e shtëpisë nga duart, ndieja se vajza e vogël po më rrëshqiste dhe aty më bie të fikët.
Një ditë më pas, Sefedini do të festonte 35-vjetorin e lindjes apo jo?
Atë ditë të tmerrshme m’u shemb toka nën këmbë. Ishte si një rrufe në qiell të hapur… Humbja e tim shoqi ishte një nga gjërat më të dhimbshme që preku jetën time dhe të dy vajzave të vogla. Atë ditë, përveç punëve të shtëpisë, isha marrë me përgatitjet e festës së ditëlindjes së tij. Kisha blerë shumë lloje reçelesh e ëmbëlsirash, raki dhe shumë produkte të tjera, me të cilat do të festonim. Edhe atë drekë kur dola për ta pritur, kisha veshur një fustan të kuq. Në ato momente, të gjithë i kishin drejtuar sytë tek unë, tek fustani i kuq që kisha veshur. Motra ime nuk më thoshte dot lajmin e kobshëm, nuk mundej të më jepte mandatën. Në ato çaste, më afrohet burri i motrës sime e më thotë: "Suzana, ngjitu lart e na vish një fustan të zi, se Sefedini na la”. Në atë moment i kthehem pa e mbajtur veten dhe i them: "T’u thaftë goja si i thua këto fjalë për Dinen”. Ndërkohë që, të tjerë njerëz kishin nisur të zbraznin shtëpinë time, kuptova se gjithçka po ndodhte përreth ishte e vërtetë. Mbaj mend që më ra të fikët sërish e tri mjekë më kanë qëndruar përgjatë gjithë natës tek koka. Ishte një dhimbje që të sëmbonte në zemër, një dhimbje që nuk e përshkruaja e nuk e duroja dot. Kaluan disa orë dhe unë ende nuk po pajtohesha me realitetin… ndërkohë që nuk më kishin treguar ende se çfarë kishte ndodhur me tim shoq.
Si ndodhi tragjedia?
Aksidenti kishte ndodhur që në orën 11:00 të paradites. Kishin gjetur trupin dhe e kishin dërguar për ekspertizë në Spitalin Ushtarak. Trupi i Sefedinit ishte ndër të vetmit trupa aviatorësh ndër vite që kishte shpëtuar pa u copëtuar, sepse atë e kishte shpëtuar veshja. Mësova nga kolegët e miqtë e tij se gjatë fluturimit, atë ditë, avioni Mig 19 kishte pësuar defekt. Dhe Sefedini ishte duke fluturuar mbi qytetin e Lushnjës. Për të shmangur një tragjedi njerëzore, pasi avioni ishte i mbushur me predha e nëse do të binte në qytet do të vriste mbi 300 vetë, ai ka manovruar avionin drejt një pylli dhe aty është rrëzuar. Në ato momente është shkëputur karrigia nga fanari i avionit dhe në mënyrë automatike ka shtypur butonin për të shkëputur veten e për të hapur parashutën… Pikërisht, parashuta e ka tradhtuar. Ajo nuk është hapur dhe Sefedini është shembur në tokë. Disa kohë më vonë, më rrëfyen se kishte mbërritur i gjallë në spital, por më vonë ka ndërruar jetë. Tri vjet pas vdekjes së tij, mua më dilte gjumi natën, teksa përsërisja: "Dine, mos ik sot në punë..”. Vitet e para ishin vërtet shokuese, nuk kishte ditë që të mos shkoja në varreza. Nuk i ngrysja dot ditët, aq sa më dukej sikur edhe jeta ime po më mbaronte. Por, nisa të punoj shumë, kisha dy vajza për të rritur dhe kjo më shtoi forcën dhe kurajën për të drejtuar e vetme jetën time dhe atë të fëmijëve.
Si ia treguat vajzave të vogla, Eldës dhe Arlindës, vdekjen e babait të tyre?
Fillimi nuk ishte aspak i lehtë. Përreth një muaj, vajzën e madhe ma kishin larguar nga shtëpia, duke e mbajtur herë njerëz të afërm të fisit e herë disa komshinj tanët. Kur Elda erdhi në shtëpi pas këtyre ditëve të vështira, sepse më kishte lënë me fustan të kuq, më gjeti me fustan të zi dhe rreth 20 kilogramë më të dobësuar, më pyeti: "Mami, kush të ka veshur kështu? Hiqi shpejt këto rroba se nuk të shkojnë”… Dhe unë që e justifikoja duke i thënë: "Mami është plakë tani, do i veshë më të errëta rrobat”. "Po jo, më thoshte ime bijë, ti nuk je plakë, ti nuk ke asnjë rrudhë në fytyrë, asnjë thinjë të bardhë në kokë”… Elda filloi të qante me dënese dhe ky ishte meraku im më i madh, si do ta përjetonte ajo vdekjen e të atit, meqenëse kishte qenë tepër e lidhur me të. Shpeshherë i thosha se ai kishte ikur me një mision në Kinë, por me kalimin e kohëve ajo nisi ta kuptonte të vërtetën, se babi i saj nuk do të kthehej më kurrë. Ndërsa, vajza e vogël, Arlinda, e kishte më të lehtë shkëputjen, sepse ajo ishte vetëm disamuajshe kur ai ndërroi jetë.
Por le të kujtojmë dhe gjëra të bukura, si u njohët?
Kur jemi njohur, sapo kisha mbaruar gjimnazin dhe ëndrra ime ishte të vazhdoja fakultetin. Kisha mesataren absolute 10, pikërisht atëherë kur nuk nevojitej si kriter mesatarja dhe doja me çdo kusht të vazhdoja shkollën e lartë për Kimi Industriale. Më pëlqente kjo degë. Njohja me Dinen do të ishte më tepër se një rastësi… Ishte ditë e diel dhe ime më kërkon që të shkoj të mbush ujë në një pus afër shtëpisë. Duke qenë dhe më e vogla e fëmijëve, më duhej medoemos të bindesha. Shkova atje, pa e ditur se ajo ditë do të përcaktonte fatin tim. Afër pusit ku unë gjendesha, duket se ka kaluar Sefedini me shefin e Rinasit (ky ishte komshiu im), ishin miq të ngushtë. Dhe ata po vinin për të qenë të pranishëm në fejesën e një vajze të lagjes sime. Sefedini më kishte parë duke mbushur ujë dhe menjëherë e kishte tërhequr pamja ime. Një vajzë shtatlartë, bionde, me dy gërsheta të mëdhenj të varur ndër supe… Atëherë më thoshin se ngjaja më shumë si ruse sesa si shqiptare. I kisha bërë përshtypje dhe menjëherë i kishte kërkuar mikut të tij që të interesohej për mua. Sefedini e kishte ndarë mendjen për mua dhe donte të vinte në familje. Fjala e parë e sime mëje kishte qenë e prerë për dy arsye: e para, sepse isha vajza e vogël e familjes dhe e dyta, se prindërit e mi nuk kishin vajzë për të martuar me një aviator, sepse e cilësonin si një profesion të rrezikshëm e të vështirë. Tamam sikur ta parandienin fatkeqësinë…
Si iu mbush mendja prindërve, si erdhi martesa e krijimi i familjes?
Sa më shumë familja ime thoshte jo, aq më tepër ai këmbëngulte për të më marrë grua. Pyeste veten, kaq shumë vlera kisha që ata të hezitonin për të më dhënë si gruan e tij. Takimi me babanë do të ishte ai që do të vuloste kërkesën e vazhdueshme të Sefedinit. I kishte pëlqyer biseda dhe komunikimi me të, i kishte lënë mbresa si njeri dhe im atë i kishte dhënë fjalën Sefedinit. Në fund, më marrin njerëzit e familjes dhe më çojnë për ta takuar nga afër. Vetë druhesha sepse isha ende e re, nuk doja të fejohesha, doja të mbaroja shkollën. Kur e pashë për herë të parë Dinen, të them të drejtën nuk më tërhoqi, sidomos diksioni i tij dibran. Takimi i parë me të nuk ishte aq mbresëlënës, por në takime të tjera të radhës nisi të më bëjë për vete. Kishte një mënyrë komunikimi të mirë, i zgjidhte fjalët që thoshte dhe tregonte se ishte më tepër se i zgjuar. Brenda vitit i mbyllëm edhe fejesën, edhe martesën. Gjatë martesës, kur jetoja në një shtëpi me të, e njoha më nga afër dhe çdo ditë i thosha vetes: ku e kisha pasur këtë fat kaq të mirë që më lidhi me një njeri si Sefedini. Nisi të më dukej tamam si i pikuar nga qielli. E doja dhe nisa ta adhuroja. Bëja çdo gjë që të dukesha e përkryer në sytë e tij. Kishim nëntë vjet diferencë moshe nga njëri-tjetri dhe ai nuk më falte gabimet, ndonëse shpesh më trajtonte si vajzën e tij. Kishte një arsyetim dhe një logjikë të jashtëzakonshme. Kisha krijuar një familje, isha bërë nënë e dy vajzave, Eldës dhe Arlindës dhe ndihesha tepër e lumtur.
Po shkollën e lartë e vazhdove ndërkohë që ishe e martuar?
Po. Sefedini më kishte premtuar përpara martesës se do të bënte çmos që të mos më linte pa shkollë, por do më ndihmonte për të ndjekur ëndrrën time të studimit për Kimi Industriale. Kur mbarova vitin e parë të shkollës së lartë, lindi Elda, vajza e madhe. Të gjithë kohën e kisha të kronometruar. Tri ditët e para që shkoja unë në fakultet, merrte im shoq leje nga puna për të qëndruar me vajzat e ditët e tjera rrija unë dhe Sefedini shkonte në shërbim. E kishim kthyer në ritual këtë gjë, aq sa shpesh merreshim vesh me shënime nëpër copa letrash.
Ju trembte rreziku që paraqiste profesioni të tij?
Kisha dëgjuar për vdekjen e një piloti, i cili ishte edhe shoku i Dines. Prej asaj dite, i lutesha atij gati në përgjërim që ta linte atë profesion, sepse do më mbyllte jetën. Kur ikte me shërbim, shikoja orën se kur do të kthehej… Nuk mundesha të qëndroja për asnjë çast pa të, e konsideroja busullën time të orientimit. Teksa i përsëritja ditë pas dite këtë gjë, e mbaj mend si tani përgjigjen e tij refuzuese: "Kur të mora ty për nuse, e dije që unë isha aviator”. Dhe unë ia kthej duke i thënë që e dija se ishte një profesion i vështirë, por jo aq sa për t’u vrarë. Ti më thua që ke parashutën që të mbron e të shpëton”, pa e ditur se ishte pikërisht ajo që do e tradhtonte e do e bënte të humbte jetën.
Ju ishit shumë e re, menduat ndonjëherë të rimartoheshit?
Isha vetëm 26 vjeçe kur ngela e ve. Vendosa të rrisja vajzat e mia, sepse ato ishin gjithçka për mua. Nuk e kam shkuar kurrë nëpër mend martesën e dytë, por edhe nëse e imagjinoj, kurrë më nuk do të martohesha me një aviator. Vdekja e tij më trondit edhe sot pas 34 vitesh, por unë sërish gjej forcë që të jetoj për vajzat e mia dhe me kujtimin e një heroi për kombin e tij.
Si u shpall Sefedin Tomçini, "Dëshmor i Atdheut”?
Im shoq ra në krye të detyrës. Me gjakftohtësinë e manovrave e lëvizjeve që kishte kryer vetëm për të shmangur tragjedinë njerëzore në qytetin e Lushnjës, ai u cilësua si hero i vërtetë. Në kohën kur ministër i Mbrojtjes ishte i ndjeri Safet Zhulali, u shpërndanë titujt për Dëshmorët e Atdheut pas vdekjes dhe Sefedini u vlerësua me këtë titull. Për mua dhe familjen time ishte nder i madh, absolutisht edhe për familjen e Dines. Por ai nuk ishte vetëm Dëshmori i Kombit. Sefedini do të mbetet heroi i jetës dhe familjes sime.

Elda Tomçini: Më thoshin që babai kishte shkuar në Kinë

Elda Tomçini, e bija e aviatorit Sefedin Tomçini. Ajo është një figurë e njohur publike, në radhët e estetistëve e farmacistëve shqiptarë. Ishte vetëm 6 vjeç kur humbi të atin. Si e kujton ajo atë 8 qershor, 34 vjet më vonë..

Elda, çfarë kujton ti nga dita kur more vesh vdekjen e babait tënd?


Kujtoj që kam qenë e vogël atëherë, vetëm 6 vjeçe. Atë ditë, ime motër ishte e sëmurë nga dhëmballët dhe mamaja ishte me raport në shtëpi, kjo për t’i shërbyer të voglës. Ishte kohë dreke dhe pasi ime më kishte mbaruar të gjithë detyrimet shtëpiake, e kishte bërë zakon që ta prisnim babin në hyrje të shkallës së pallatit, duke e ditur gjithnjë kohën kur ai mbërrinte në shtëpi. E mbaj mend momentin kur dolëm jashtë, bashkë me mamënë dhe motrën e vogël të lidhur "kopanec” që ime më e mbante në krah dhe shohim një kortezh të gjatë njerëzish me uniformë, në krye të të cilëve ishte tezja ime(e cila punonte në Rinas) me bashkëshortin e saj. Mbaj mend vetëm piskamën e madhe të sime mëje, ulërimën shumë të fortë të saj, ndërkohë që motra po i binte nga duart dhe dikush u afrua që t’ia merrte. Mua më hoqën prej andej dhe përreth një muaj më kanë mbajtur njerëzit e afërm të familjes dhe komshinj. Vetëm pas një muaji, kur jam kthyer në shtëpi, kam gjetur shtëpinë bosh, time më të veshur me të zeza, tejet të dobësuar, ndërkohë që kishte hedhur një napë të bardhë mbi supe, sepse po i jepte për të pirë motrës. Ditë pas dite shihja njerëz që vinin në shtëpi, që më përqafonin e më thoshin që më donin shumë dhe vetëm kaq kujtoj nga ajo ditë e tmerrshme që ndryshoi tërësisht rrjedhën e jetës sime dhe familjes gjithashtu.
Si u përshtate mandej me idenë e mungesës së babait tënd?
Fillimisht, ditët e para kur nuk e shihja në shtëpi, pyesja mamanë se ku ishte. Dhe përgjigja e saj ishte se kishte shkuar në Kinë për çështje pune. Pyesja vazhdimisht, ditë pas dite, ndërkohë që shihja mospraninë e tij në shtëpi. Kam qenë e vogël, 6 vjeç… e ndieja mungesën e tij… të gjithë vinin nga puna, ushtarakë… babai im s’erdhi kurrë.
Ke pasur një marrëdhënie tepër të ngushtë me babanë…
Është e vërtetë. Me tim atë isha më e lidhur seç duhet, ndoshta edhe prej faktit që isha fëmija i parë i familjes. Kujtoj me shumë nostalgji dhe mall momentet kur ai më ulte në prehër dhe më përkëdhelte flokët, kur më tregonte përralla të bukura që më zbukuronin gjumin e natës. Zakonisht, pasi kthehej nga puna, ai i kushtonte një hapësirë të konsiderueshme studimeve dhe leximeve për profesionin e tij, e teksa ulej në tavolinë e merrej me to, mua më vinte përballë vetes, merrja një fletë të bardhë në dorë e laps dhe vizatoja çfarë të dija. Asokohe dija vetëm të bëja viza të drejta në fakt (qesh). Më mësoi të shkruaja e të lexoja qëkur isha e vogël dhe në klasën e parë dija t’i realizoja më së miri këto procese që bashkëmoshatarët e mi i mësonin për herë të parë në bankat e shkollës. Luanim të dy në shtëpi kukafshehthi, ose krijonim një minikoncert, ku isha unë protagonistja me recitimet apo duke mësuar vallen dibrane (të krahinës së time etj). Më merrte çdo sezon veror në kampin e pushimit me vete dhe anës detit të dy bënim shpesh kështjella me rërë dhe ujë. Ndiej mall për të, ndiej mall për çdo kujtim që kam me babanë tim dhe besoj se jeta ime do të ishte ndryshe nëse ai do të ishte gjallë dhe pranë nesh.
Babai yt është shpallur Dëshmor i Kombit, ç’do të thotë mbash mbiemrin Tomçini?
Besoj se po. Për një prind, krenaria më e madhe është kur sheh fëmijët të realizuar qoftë profesionalisht, qoftë edhe familjarisht. Në çdo hap që kam hedhur, kam menduar tim atë. Për më tepër, imë më na ka ndenjur pranë gjatë gjithë kohës, duke na përsëritur në vesh refrenin se nëse të tjerët duhet të bënin 10% përpjekje për të arritur gjërat në jetë, unë dhe ime motër duhet të bënim 10 fish më shumë, sepse ishim pa baba dhe duhet të nderonim figurën e tij. Jam fatlume që kam pasur një nënë aq këmbëngulëse e që ka qenë edhe burrë, edhe grua për mua dhe Lindën, motrën e vogël.
U ke rrëfyer fëmijëve të tu për gjyshin e tyre?
Borës, vajzës së madhe patjetër, por edhe Martinit të vogël i kam treguar për gjyshin. Një baba si Sefedini, përveçse krenari dhe mall, të transmeton vetëm cilësi pozitive, për të cilat u kam folur goxha fëmijëve të mi. U them shpesh atyre se do të kishin pasur fat nëse do kishin mundur ta njihnin gjyshin e tyre.
Si e përkujton 8 qershorin?
Kur isha më e vogël, pas mësimit kisha një shoqe në pallat, e cila më shoqëronte dhe nuk kishte ditë që të mos shkoja në varreza tek im atë. Nuk qaja në sy të mamasë, sepse i transmetoja më tepër dhimbje, por në vetmi po. Ishte humbje e rëndë, pikësëpari për moshën e tim eti, për mamanë time që mbylli jetën kur ishte vetëm 26 vjeçe, për të gjithë… Ditët e përkujtimoreve shkoj gjithnjë në varreza, ndërsa në 5 Maj bëhen pjesë e ceremonive për Dëshmorët e Atdheut, meqenëse im atë e gëzon këtë titull. Në momente të vështira qaj, në situata të tjera kujtoj me mall tim atë dhe gjithnjë mendoj si do kishte qenë jeta ime nëse ai do të ishte gjallë. Shumë ndryshe, vërtet…
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus
Horoskopi ditor


    Top Filmat për këtë javë
  1. The Lion King 3D
  2. Johnny English Reborn
  3. The Three Musketeers 3D
  4. Footloose
  5. Real Steel
  6. Contagion
  7. Paranormal Activity 3
  8. The Adventures of Tintin: The Secret of the Unicorn 3D