Kryesore » 2011 » Dhjetor » 25 » Juli Ndoci: Kthehem me këngë pas 22 vjetësh
5:54 PM
Juli Ndoci: Kthehem me këngë pas 22 vjetësh
Këto ditë ndodhet në Tiranë për një mision artistik. Festivali i 50-të i RTSH-së e rikthen në skenë jo si konkurrenten 17-vjeçare, fituese të çmimit të parë të festivalit të ’89-s, por si të ftuar nderi. Ka lënë gjysmën e familjes në Gjermani, me shpresë që t’u bashkohet për Vitin e Ri

Ky jubile i 50-të i Festivalit të Këngës në RTSH ngjit në skenë fituesen e çmimit të parë të festivalit që theu tabutë. Ishte vetëm 17 vjeçe, kur për herë të parë u ngjit në skenë përkrah Manjola Nallbanit dhe të vëllait, Frederikut, për t’i kënduar lirisë përmes simboleve shqiptare. Festivali i ’89-s, njëherësh përkoi edhe me ngjarjen e rëndësishme politike e shoqërore, rrëzimin e Murit të Berlinit, andaj nuk ishe e rastit që hiti "Toka e diellit” u vlerësua maksimalisht për mesazhin e qenësishëm që përcillte përmes ritmeve muzikore. Sot, pas 22 viteve, Juli Ndoci rikthehet si e ftuar nderi e Festivalit të RTSH-së, për të përcjellë sërish emocione, por të vendosura në një tjetër kohë… Në këtë intervistë për "Unë Gruaja”, artistja e njohur flet jo vetëm për ato emocione të përjetuara, por edhe për jetën e saj në Gjermani, aktivitetet artistike në të cilat është e angazhuar, marrëdhëniet familjare me të bijën dhe bashkëshortin, por pa i bërë "bisht” atmosferës festive në prag… Pas 22 vjetësh ngjiteni në skenën e Festivalit të RTSH-së, për të kënduar këngën që ju bëri fituese të çmimit të parë, ç’ndjesi provoni?
Është shumë prekëse kur mendoj që për herë të parë këtë këngë e kemi kënduar në vitin 1989, kohë kur sapo kishte rënë Muri i Berlinit. Politika dhe nevoja për liri gëlonin atëherë, dhe mesazhi që përcillte kënga erdhi i plotë, ndaj të gjithë juritë e rretheve na dhanë pikët maksimale. Isha vetëm 17 vjeçe atëherë, pra për mua ishte hera e parë që dilja në skenë, dhe me të parën fitova. Më ngjau tamam si një përrallë dhe për shumë vite më pas jetova me këtë përrallë. Rikthimi pas 22 vitesh është emocionues. Vij si e ftuar speciale e festivalit dhe kjo më mbush me ndjenja të bukura.
Një rast i mirë për të takuar edhe miqtë e dikurshëm, apo jo…?
Një motiv më bindës për mua që unë të merrja pjesë në këtë jubile të festivalit. Nuk e kam peng që nuk vij për të konkurruar, por për të shijuar frytet e një pune artistike pas kaq shumë vitesh. Më gëzon fakti që do të ritakohem me Manjola Nallbanin, ndërkohë mësova që pjesëmarrës në festival do të jetë edhe Elton Deda, një këngëtar shumë i mirë i brezit tim, Mariza Ikonomi, një tjetër mike imja e shumë personalitete të tjera të muzikës shqiptare.
Ngasja duhet të ketë qenë e fortë, përderisa latë Gjermaninë mes festash…
Duhet të lija punën dhe gjysmën e familjes vetëm në Gjermani. Kisha hezitimet e para kur Frederiku më njoftoi që do të ngjitej në skenë kënga jonë… Dyshimet nuk ishin për mungesën e dëshirës për të qenë e pranishme, por për pjesën e gjërave nga duhet të hiqja dorë. Në Gjermani merrem me përkthime, me teatër dhe me lëvrime të muzikës alternative. Punoj edhe në një radio të njohur aty në Gjermani. Janë shumë punë njëherësh që më duhej t’i organizoja, për të mos munguar në këtë jubile të festivalit të RTSH-së. Gjithsesi, bashkë me time bijë, Dorelën, po mundohemi t’i shijojmë këto 10 ditë qëndrimi në Tiranë.
Por ndërkohë vëllai juaj, Frederiku, është konkurrent në këtë festival, apo jo?
Në këtë festival, Frederiku do të konkurrojë me një këngë me titull "Jeta ime”, e duke qenë se në jetën e tij bëjmë pjesë edhe ne dy motrat e tij (qesh), unë bashkë me Ritën mendojmë që të bashkohemi në performancën e tij skenike dhe të tre të këndojmë hitin e Frederikut. Është një performancë familjare, e veçantë, e që do të jetë një surprizë e bukur për të tre ne.
Frederiku, para katër vitesh fitoi çmimin e parë me "Baladën e gurit”, për të prekur mandej skenën e Europianit, çka u shoqërua me shumë komente dhe zhgënjime. Çfarë e shtyn të konkurrojë sërish?
Këtë eksperiencë e kam përjetuar nga afër, duke qenë se iu bashkova Frederikut në Helsinki. Kritika pas festivalit ka pasur shumë, të cilat erdhën edhe si pasojë e mungesës së eksperiencës së artistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Ishte hera e katërt që Shqipëria merrte pjesë në Festivalin Europian. Vendi ynë nuk kishte as edhe një kartolinë me imazhe shqiptare, as një stendë për të prezantuar vendin tonë përpara miliona spektatorëve nga e gjithë bota që kishin ardhur për të ndjekur nga afër këtë kompeticion. Frederiku është këngëtar dhe, sado të hidhërohet, apo çfarëdolloj eksperiencë të keqe të ketë përjetuar, çdo gjë për të është shkollë. Ai nuk jeton dot pa muzikën. Ndaj edhe rikthehet. Atëherë i këndoi mallit që kishte për Shqipërinë, pas rikthimit nga Amerika. Këtë herë i këndon jetës së vet, e këto janë copëza nga e vërteta e jetës së tij e shprehur me muzikë.
Tashmë që jetoni larg, i ndiqni zhvillimet muzikore në Shqipëri?
I kam ndjekur, patjetër. Madje mendoj që çdo lëvizje politike që bëhet, ndihet edhe në aspektin artistik. Ndryshimet shihen në gjithë këto vite. Shihen vlerat artistike që konsumohen dhe ato që lëvrohen në artin shqiptar. Festivali i RTSH-së më pëlqen, sepse në të dominon muzika në thelb shqiptare. Pavarësisht prurjeve të reja, Festivali i RTSH-së mbetet tradicional e ky është një detaj që duhet vlerësuar. Por, sa i takon muzikës në tërësi, më vjen shumë keq që ende nuk ka një derë të hapur për artin alternativ. Arti në Shqipëri bëhet me llogari të qëruara dhe laps e letër në dorë. Duhet eksperimentuar më shumë me muzikën. Me alternativë nuk e kam fjalën vetëm për zhanre të reja si rock apo alternativ… Ka shumë lëvrime interesante, që mund të bëhen edhe në tradicionalen tonë. Është e mbytur nga komercialiteti muzika shqiptare.
Të kthehemi tek jeta juaj, me se merreni, cila është një ditë juaja e zakonshme?
Dita ime fillon në gjashtë të mëngjesit dhe përfundon në orën dy pas mesnate. Kam dy fëmijë që duan shumë vëmendje. Vajza e madhe, Dorela, është 12 vjeçe, në prag të adoleshencës dhe i qëndroj shumë mbi kokë. Përpiqem të kem në mbarëvajtje edhe ecurinë e saj në shkollë, detyrat e shtëpisë, interesin që ajo ka për leximet jashtëshkollore, praktikën e notit, kurse arti, muzike etj. Vajza tjetër, Jolinda, është më e vogël, por edhe ajo do shumë vëmendje. Ndërsa Oliveri, bashkëshorti, është tepër i angazhuar si aktor në një teatër të Gjermanisë e pjesën më të madhe të detyrimeve familjare më takon mua t’i bëj. Përpos punëve artistike në teatër, radio, përkthime e muzikës me bandën "Goja Mars”.
Cila është marrëdhënia me vajzën adoleshente, jeni shoqe?
Nuk pretendoj të jem shoqe me vajzën time, është ende herët. Ne kemi një komunikim të hapur, e unë mendoj që një fëmijë duhet të dijë kufijtë dhe t’i respektojë ata. Kur them "jo” është "jo” dhe e kundërta. Deri më tani, besoj se me Dorelën ia kam dalë mbanë…
Meqenëse jemi në prag festash, si keni menduar t’i kaloni ato?
Krishtlindjen këtu në Shqipëri, ndërsa për Vitin e Ri do bëj çmos të jem në Gjermani bashkë me familjen time. Kemi menduar për një festë familjare, ndërsa dhurata do u bëjmë vetëm vajzave tona, ndonjë libër për vajzën e madhe dhe lodër prej druri për Jolindën e vogël. Shpresoj të kalojmë gëzueshëm edhe këtë vit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus
Horoskopi ditor


    Top Filmat për këtë javë
  1. The Lion King 3D
  2. Johnny English Reborn
  3. The Three Musketeers 3D
  4. Footloose
  5. Real Steel
  6. Contagion
  7. Paranormal Activity 3
  8. The Adventures of Tintin: The Secret of the Unicorn 3D