Kryesore » 2011 » Qershor » 5 » Erenestina Halili: Është koha të ndaj eksperiencat me studentët
7:18 PM
Erenestina Halili: Është koha të ndaj eksperiencat me studentët
Nga gazetaria e terrenit, në studiot e lajmeve në TVSH. Nga kryeredaktore, në drejtoreshë kabineti qeveritar. Erenestina Halili ofron modelin e suksesit, bashkë me ndjesitë e humbjes… Pasioni për gazetarinë nuk e ka tradhtuar asnjëherë! E në orvatjet mes tij dhe zhvillimit në sferën akademike gazetareske, Erenestina Halili ofron modelin personal. Një femër në karrierë që ende "preh” shpirtin tek rrënjët e vjetra, prej nga edhe mori emër figura e saj publike mediatike e televizive.
"Era” mediatike
Në "pasqyrën” ku ajo shihet, nuk e ka aspak të vështirë të dallojë vetveten. Të njoh anën më të bukur të saj, e pse jo të rrëmojë në të kaluarën për të gjetur Erenestinën e dikurshme, gazetaren e zellshme dhe aktive. Nuk e ka aspak të zorshme të rrëfejë terrenin nëpër të cilin ka shkelur, duke nisur me kronikat më të thjeshta e pa peshë, tek studiot televizive si folëse e lajmeve. Nga kryeredaktore, në drejtoreshë e kabinetit qeveritar pranë Ministrisë së Shëndetësisë. "Gazetaria është për mua një prej kapitujve më të rëndësishëm të jetës e karrierës profesionale. Ajo shënjoi maturimin tim në mendimin e perceptimin e fenomeneve shoqërore, politike, familjare. Lëvrova gazetari televizive dhe të shkruar, ngjita shkallët në karrierë e sot jam krenare që emri im rri në një faqe të Enciklopedisë së Gazetarisë Shqiptare”, thotë ajo. Ndodh që nostalgjia e kaplon shpeshherë 40-vjeçaren, duke e pështjelluar në gjithë situatat që e kanë shoqëruar ndër vite në profesion, ndër gjithë ato momente ku i është dashur të përballet edhe me "bërrylat” e "shkopinjtë nën rrota”, me shikimet vëngër apo një padrejtësi që mund t’i jetë përplasur si dera në fytyrë. I ka përjetuar si emocione që i ndodhin çdokujt. "Kur isha e angazhuar në RTSH, jam përballur me situata nga më të vështirat, me probleme të larmishme. Kam marrë sadisfaksion e kam ndarë suksesin. Jam mërzitur me hipokritët e kam qarë me hallin e një mikeje në punë. Momentet e vështira përveçse më kanë bërë më të fortë, assesi nuk më kanë poshtëruar. Për mua, çdo gjë e pashlyer rikthehet në nostalgji”.
Erenestina dhe familja!
Për vite të tëra të punuarit në gazetari ishte njësoj si ai "jastëku” i rehatshëm, ku ajo bënte gjumin e qetë. Pa e ditur se një "erë” e re do të frynte në jetën e saj. Martesa me Nikun, bashkëshortin e jetës dhe njeriun e pozicionuar fuqishëm ekonomikisht, krejt pa dashje do ta përfshinte në një tjetër hulli… ku nuk i duhej të punonte me orë të stërzgjatura në korridoret e televizionit, t’i hynte në hak familjes e fëmijëve. Për Erenestinën, me krijimin e familjes, me ardhjen në jetë të Kejdit dhe Nizeas fokusi i gjithë angazhimeve dhe intensitetit të ditëve të saj u kthyen kah familjes e fëmijëve. Vetë ajo e ka të vështirë ta pranojë se është tërhequr nga ky lëm, sepse sërish tenton të jetë e pranishme me shkrime të botuara në media, intervista e personazhe protagoniste. "Jam munduar që trofeun tim të radhës ta kem të pozicionuar pikërisht në gjirin e familjes që kam ndërtuar unë edhe im shoq. Nuk është aspak e lehtë të rrisësh fëmijë sot. Besoj se ia kam dalë bashkë me tim shoq”, vijon Halili. Duket se ajo e ka gjetur veten edhe në sipërmarrjet private e të rëndësishme të bashkëshortit të saj, duke qenë këshilluesja më e mirë e tij. Ajo nuk e fsheh dot faktin se fillimet e veta në gazetarinë televizive kanë vetëm një nxitës dhe ai është pikërisht bashkëshorti. Të dy udhëhiqen në jetë nga të njëjtat parime, gëzojnë njësoj për sukseset e njëri-tjetrit dhe diskutojnë gjatë për sfidat e radhës që trokasin në jetët e tyre.
Gazetaria dhe pedagogjia!
Ndonëse prej disa vitesh nuk endet lartë e poshtë si gazetare terreni, ngjan se një tjetër zhanër e ka tërhequr fort pas vetes. Ai i akademisë dhe pedagogjisë në Fakultetin e Gazetarisë pranë Universitetit të Tiranës, ku Erenestina ka zgjedhur të bëjë pedagogen në lëndën e quajtur "Faqja e tretë”. "Përvoja ime e gjatë në media më jep mundësinë që me shumë studentë të ndaj eksperienca jetësore e të përditësuara nga puna ime. Pedagogjinë e kam fort për zemër, e tashmë prej disa kohësh kam armën më të fortë në duar për ta transmetuar gjithçka mundem në aspektin profesional, pikërisht tek brezi i gazetarëve të rinj”, përfundon ajo.
Të ndihesh e plotësuar!
E teksa përgjigjet, në kokë i vërtitet e njëjta pyetje të cilën ia drejton shumëkush personit të saj: A ndihet realisht e plotësuar? I ka provuar të gjitha ndjesitë e hierarkitë profesionale. Nga gazetare e terrenit, në kryeredaktore, nga folëse e lajmeve, në drejtoreshë kabineti, së fundmi pedagoge… Një grua në karrierë, një nënë e plotësuar me dy fëmijë të mrekullueshëm dhe gruaja e një burri të fuqishëm ekonomikisht. Nëse ajo do të kërkonte më shumë nga jeta, pakkush mund ta besonte, por përgjigja e Erenestinës është krejt tjetër. "Të ndihesh e plotësuar është një nga ato ndjesitë më të sprovuara në jetën time. Çdo ditë më ndodh të trishtohem, por plotësimi im vjen kur ata që kam rreth vetes janë mirë e gëzojnë shëndet. Kam mësuar që kjo është arsyeja më e madhe për të qenë e lumtur…”.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus
Horoskopi ditor


    Top Filmat për këtë javë
  1. The Lion King 3D
  2. Johnny English Reborn
  3. The Three Musketeers 3D
  4. Footloose
  5. Real Steel
  6. Contagion
  7. Paranormal Activity 3
  8. The Adventures of Tintin: The Secret of the Unicorn 3D